Debat në Kuvend, driblohet Dinamo

Oct 26, 2011 | 12:42
Aldo Bumçi

Dje, në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë është zhvilluar një interpelancë me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, e kërkuar nga anëtari i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, deputeti Fidel Ylli. Ministri Bumçi në fjalën e tij ka sqaruar gjithçka në lidhje me ecurinë e sportit në vendin tonë dhe investimet e bëra nga dikasteri që ai drejton, por që ka hasur në kundërshtime të mëdha nga deputeti Ylli, i cili ka akuzuar Ministrinë e Sporteve për largimin e sportistëve elitarë dhe për shkatërrimin e dy klubeve më me emër në vend, siç është ish-klubi “Partizani” dhe klubi “Dinamo”. Por, pavarësisht se është diskutuar për sportin në tërësi, në këtë debat të nxehtë në asnjë moment nuk është prekur drejtpërdrejtë çështja e skuadrës së Dinamos dhe problemet që po kalon ajo kohët e fundit. Në fjalën e tij në lidhje me ambientet e klubit Dinamo, ministri Bumçi është shprehur: “Në ambientet e klubit Dinamo do të ndërtohet një fshat olimpik, që gjatë gjithë kësaj periudhe i ka munguar vendit tonë. Është bërë projekti dhe tani priten të gjenden vetëm donatorët”. Ka ardhur menjëherë edhe përgjigjja e deputetit Ylli, i cili ka deklaruar: “Nuk jam kundër ndërtimit të një fshati olimpik, pasi kam qenë unë i pari që e kam hedhur një ide të tillë, por nuk mund të ndërtohet një fshat i tillë në mes të qytetit. Fshati mund të ndërtohet në Korçë, ku është klima e mirë dhe i tregojmë gjithë botës se çfarë natyre ka Shqipëria. Cilët do të jenë sportistët që do të stërviten në këtë fshat, pasi është prishur për interesa të vogla klubi “Partizani”, që në vend të palestrave më të mira në vend që ekzistonin, tani janë ndërtuar pallate. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me palestrat te stadiumi “Qemal Stafa” dhe po përsëritet te klubi “Dinamo”. Po sportistët elitarë, të cilët po na largohen, ku do të stërviten?!”, ka pohuar në fjalën e tij Ylli.

© Panorama.al

Te lidhura