De Biazi, 5 “të rinj” ndaj Katarit e Iranit

May 18, 2012 | 14:32
De Biazi

Shpëtim Moçka, Etrit Berisha, Mër-gim Mavraj, Mërgim Brahimi dhe Sabien Lilaj janë pesë loj-tarët e rinj të listës së trajnerit De Biazi për dy ndeshjet miqësore ndaj Katarit dhe Iranit. Trajneri italian i Kombëtares ka shpallur dje listën me 22 lojtarë, të cilët do të vihen nga sot në dispozicion në grumbullimin kuqezi në Durrës. Mungesa e Samir Ujkanit të dëmtuar ka sjellë dy prurje të reja për kuadratin kuqezi, respektivisht kosovarin Etrit Berisha të Kalmarit në Suedi dhe Shpëtim Moçkën e Apolonisë së Fierit. Mosha nuk e ka nxjerrë jashtë loje portierin e kampionëve të vendit, Orges Shehi, që është sërish pjesë e Kombëtares, ashtu si në miqësoren me Gjeorgjinë, ku bëri debutimin si trajner De Biazi. Për Berishën dhe Moçkën, kjo është thirrja e parë me fanellën e Kombëtares A. Ndryshime në listë ka edhe në repartin e mbrojtjes, ku risia absolute është grumbullimi i “tradhtarit” Mavraj. Mbrojtësi i Grojther Furth në kampionatin gjerman të futbolli u pajis para tri vitesh me pasaportë shqiptare, por më pas refuzoi që të luante për Shqipërinë, duke shpresuar te një ftesë e Kombëtares gjermane. Pasi nuk u grumbullua nga “pancerat”, Mavraj shprehu pendesë dhe duke parë formën e tij të mirë, trajneri De Biazi pranoi që ta grumbullojë në Kombëtare. Ndërkohë në këtë repart rikthehet Admir Teli, i lënë jashtë në miqësoren e 29 shkurtit për arsye taktike, si dhe është konfirmuar korçari i Teutës, Tefik Osmani. Emër i ri në listën e De Biazit është edhe Mërgim Brahimi i Grashopersit, i cili më parë ka luajtur me ekipin Shpresa. Forma e mirë e ka çuar De Biazin që ta provojë me ekipin e parë. Kujtojmë se te U-21 Brahimi ka luajtur në rolin e organizatorit, duke shfaqur një repertor të pasur teknik dhe horizont në lojë. Nuk dihet nëse trajneri italian do ta aktivizojë në mesfushë apo në mbrojtje. Rikthime edhe në mesfushë, ku Sabjen Lilaj është thirrur për t’u provuar, kjo nisur edhe nga aktivizimi i tij te Lokomotiva e Zagrebit në Kroaci. Grumbullohen për herë të dytë nga De Biazi mesfushori i Rizesporit, Hair Zeqiri, sulmuesi i Polonia Varshavës, Edgar Çani, si dhe Armando Sadiku i Lokarnos, që të tre pjesë e ekipit në ndeshjen e 29 shkurtit ndaj Gjeorgjisë. Ndërkohë për Shqipërinë është hera e parë që do të luajë kundër Katarit dhe Iranit. Katari renditet në vendin e 84-t në FIFA (po aq sa Kombëtarja jonë), ndërsa Irani në vendin e 52-të dhe e ka fituar katër herë kampionatin aziatik, pra ka një përfaqësuese cilësore, gjë që e ka theksuar edhe sulmuesi Xhevair Sukaj, i cili aktivizohet në Iran me Sepahanin. Ky i fundit nuk është grumbulluar nga trajnerin edhe pse po kalon një formë të shkëlqyer.

Lista e Kombëtares
Portierë:
Orges Shehi (Skënderbeu), Shpëtim Moçka (Apolonia), Etrit Berisha (Kalmar, Suedi).
Mbrojtës: Tefik Osmani (Teuta), Armend Dallku (Vorskla Poltava, Ukrainë), Admir Teli (Karabak, Azerbajxhan), Franc Veliu (Flamurtari), Mërgim Mavraj (Grojter Fyrt, Gjermani), Lorik Cana (Lacio, Itali), Andi Lila (Janina, Greqi), Mërgim Brahimi (Grashopers, Zvicër).
Mesfushorë: Ervin Bulku (AZAL Baku, Azerbajxhan), Sabien Lilaj (Lokomotiv Zagreb, Kroaci), Gjergj Muzaka (Skënderbeu), Jahmir Hyka (Luzern, Zvicër), Emiliano Vila (Janina, Greqi), Ansi Agolli (Karabak, Azerbajxhan), Hair Zeqiri (Rizespor, Turqi).
Sulmues: Elis Bakaj (Çernomorets Odesa, Ukrainë), Erion Bogdani (Siena, Itali), Edgar Çani (Polonia Varshavë, Poloni), Armando Sadiku (Lokarno, Zvicër).

Lista 2, De Biazi “djeg” Januzin
Kjo është hera e dytë që trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazin harton një listë për një ndeshje zyrtare miqësore. Në fund të shkurtit ai përzgjodhi rreth 20 futbollistë për ndeshjen me Gjeorgjinë në Tbilisi (2-1), e cila përkonte edhe me debutimin e italianit në krye të kuqezinjve. Nga lista e parë, për dy ndeshjet e radhës mungojnë mbrojtësi i Çernomorets Odesa, Kristi Vangjeli (i dëmtuar), mesfushori i Këlnit, Odise Roshi (i dëmtuar), mesfushori i Tiranës, Gilman Lika (i dëmtuar) si dhe sulmuesi i Vorskla Poltavës, Ahmed Januzi (i pagrumbulluar).

Shqipëria, 9 seanca për 2 miqësore
Kombëtarja do grumbullohet sot në Durrës për t’u përgatitur për miqësoret kundër Katarit dhe Iranit, të cilat do të luhen në Madrid (22) dhe Stamboll (27). Sipas programit të shpallur dje, kuqezinjtë do bëjnë 9 seanca stërvitore për këto dy ndeshje, nga të cilat gjashtë do kryen në tokën shqiptare. Të dielën ekipi do niset drejt Spanjës, ku ende nuk është bërë e ditur se ku do luhet ndeshja e programuar më 22 maj ndaj Katarit. Pas ndeshjes, më 24 maj, ekipi do kthehet sërish në Durrës, ku do zhvillojë edhe tri seanca stërvitore dhe më 26 do niset për Stamboll.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura