Mesfushori brazilian Ederson dje ka marrë në mënyrë të papritur një ftesë për t’u bërë pjesë e Brazilit në Botërorin 2026. Një ftesë që erdhi jo si normalisht, pasi ai ishte lënë jashtë listës nga Ançeloti, por me planin që ndryshoi plotësisht për shkak të dëmtimit të Uesleit. Dhe që nga aty nisi një peripeci e vërtetë.

Ederson nuk gjendej në Rio, por në Kampo Grande, kryeqendrën e Mato Groso do Sul, ku ishte në mes të festimeve të dasmës së mikut të tij, mesfushorit Romulo Zvarg. Në mes të dasmës ai kishte marrë telefonatën me lajmin e grumbullimit në Botëror. Problemi? Ishte pa pasaportë, të cilën e kishte lënë në Rio De Zhaneiro ku do të shkonte për pjesën tjetër të pushimeve.
Kështu, ai ka venë në lëvizje miqtë e tij në Rio të cilët kanë shkuar dhe kanë marrë pasaportën, për t’ia sjellë në San Paolo nga ku do bëhej nisja për në SHBA. Ndërkohë, gruaja e tij kishte improvizuar një valixhe me rroba që ai do të merrte me vete ne SHBA, para se të nisej avioni nga Kampo Grande drejt San Paolos. Një aventurë e vërtetë, por me një fund të lumtur për futbollistin brazilian që po kurorëzon kështu ëndrrën e tij.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











