Danimarka: Presidenti, testi i parë i Shqipërisë për në BE

May 17, 2012 | 13:09
Haxhinasto e ministri danez Wammen

Zgjedhja e Presidentit të ri të vendit do të jetë testi i parë që Shqipëria duhet të kalojë në rrugën e saj për marrjen statusit të vendit kandidat. Deklaratën e bëri dje në Tiranë ministri i Çështjeve Europiane të Danimarkës, Nikolai Wammen, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së BE-së. Në ditën e dytë të qëndrimit në vendin tonë ai u takua dje me Kryeministrin Sali Berisha dhe zv.kryeministrin e ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, me të cilin doli edhe në një konferencë për shtyp. Duke folur para mediave lidhur me çështjen e zgjedhjes së kreut të shtetit, Nikolai Wammen tha se “dëshiroj të theksoj se marrëveshja e nëntorit të shkuar duhet patjetër të çohet deri në fund, përpara zgjedhjes së Presidentit, përpara datës 24 maj, dhe kjo është përgjegjësi e të gjitha palëve politike në Shqipëri. Është shumë e rëndësishme të them se kur vjen puna për reformën elektorale, për zgjedhjet, zgjedhja e Presidentit do të jetë testi i parë për ecurinë e Shqipërisë, për përparimin e saj dhe për zgjedhjet e tjera parlamentare që do të zhvillohen vitin që vjen”. I pyetur nëse Shqipëria nuk plotëson kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat, diplomati danez tha se dhënia e statusit do të jepet në bazë të veprave te të cilat ai ndër të tjera renditi edhe zgjedhjen e kreut të shtetit. Por, pyetjes nëse është zgjedhja e Presidentit kushti i 13-të i Brukselit për Tiranën zyrtare, ai u përgjigj duke thënë: “Siç e thashë, ka 12 përparësi, dhe këtë e dinë të gjithë. Nëse do të më pyesni a do ta ndjekim me vëmendje zgjedhjen e Presidentit, them që sigurisht do ta ndjekim. Kemi pritshmëri të mëdha dhe njëkohësisht standarde të larta në lidhje me atë që do të ndodhë këtu. Prandaj bëhet fjalë për përgjegjësi të madhe përsa u takon partive politike dhe udhëheqësve të tjerë në Shqipëri. Dhe nga këndvështrimi ynë si BE, presim që udhëheqësit, politikanët shqiptarë ta justifikojnë këtë pritshmëri tonën”.
Çështja e Presidentit u diskutua edhe në takimin që ministri i Danimarkës pati me Kryeministrin Sali Berisha. Zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave bëri të ditur se kreu i Ekzekutivit foli për një proces të konsultuar dhe në përputhje me Kushtetutën. “Në takim u diskutua edhe për çështjen e zgjedhjes të ardhshme të Presidentit të Republikës. Kryeministri e siguroi ministrin Wammen se zgjedhja e Presidentit do të behet me konsultime dhe në zbatim të plotë të germës dhe frymës së Kushtetutës”, thuhet në njoftimin e qeverisë. Duke u ndalur te çështja e reformës elektorale, Wammen tha se “zgjedhjet do të ndiqen me vëmendje jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Bashkimin Europian. Pra reforma elektorale dhe zgjedhjet e drejta dhe të ndershme janë çështje thelbësore, të cilat duhet të jenë në vëmendje të Shqipërisë në javët, muajt që do të vijnë. E njëjta gjë mund të thuhet për shtetin ligjor, për luftën kundër korrupsionit, për luftën kundër krimit të organizuar. Pra, një provë e rëndësishme e aftësisë së Shqipërisë për të fituar statusin e vendit kandidat do të jetë pikërisht mënyra se si ajo e trajton këto çështje”. Duke iu referuar hetimeve të 21 janarit, diplomati danez apeloi që të mos ketë ndërhyrje politike te Gjyqësori dhe Prokuroria.

Haxhinasto: Presidenti,sipas Kushtetutës
Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, tha se kreu i ri i shtetit do të zgjidhet sipas frymës së Kushtetutës. “E rëndësishme është fryma e bashkëpunimit që projektohet nga konkluzioni i kësaj reforme, nga konkludimi i saj, të vazhdojë dhe të krijojë klimën e nevojshme që tashmë është deklaruar nga të gjithë faktorët politikë edhe për zgjedhjen e Presidentit. Të jetë një proces institucional, proces i cili zbaton si germën, ashtu edhe frymën e Kushtetutës”, tha diplomati shqiptar.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura