Çuditë zgjedhore, zonat ku të vegjlit u bënë të mëdhenj

Jul 11, 2011 | 12:52

Aty ku dikur partitë e vogla ishin thuajse inekzistente, në zgjedhjet vendore të këtij viti rezultojnë forcat politike më të mëdha.Legalistët dhe demokristianët kanë zgjeruar hartën elektorale në Veri, ndërsa ballistët dhe komunistët, në Jug. PBDNJ dhe PDIU kanë triumfuar në dy qytete, ku degët i themeluan vetëm pak ditë para fushatës elektorale. Të gjelbrit marrin Këlcyrën…
Pukë, legalistët i mundin të gjithë
Është konsideruar një rezultat surprizë. PLL ka arritur të shpallet forcë e parë politike në Bashkinë Pukë, edhe pse PD fitoi kryetarin e saj. Me 166 vota, PLL ka lënë pas PS-në me 166 vota dhe LSI-në me 135 vota. Më pas, radhiten forcat e tjera politike, si Bashkimi Liberal Demokrat, Partia Republikane, Partia Ora e Shqipërisë, PBDNJ, Partia G99, Partia Demokristiane Shqiptare, Partia Balli Kombëtar dhe…. më në fund, ja edhe PD. E 11 në radhë, PD ka arritur të marrë vetëm 101 vota, po aq sa edhe ballistët, që për shkak të alfabetit ndodhen një vend para demokratëve në listën e fitores. Ndërkaq, PLL befason edhe në Kukës. Ajo radhitet e dyta pas PD, që ka 1228 vota, ndërsa PLL, 607 vota. Me vetëm 11 vota më pak vjen PR-ja, duke lënë pas edhe PS-në që ka marrë vetëm 574 vota gjithsej.
Rrëshen, PBDNJ e para dhe PD e teta
Një zonë që dikur konsiderohej si bastion i demokratëve, jo vetëm që ka ndryshuar ngjyrë, por edhe ka sjellë çudi zgjedhore. Në Rrëshen PD ka dalë e teta si forcë politike me vetëm 299 vota, ndërsa në vend të parë tashmë kryeson PBDNJ, 520 vota. Pas saj vjen PS me 505 vota, një kandidat i pavarur, që quhet Zef Mark Simoni, me 368 vota dhe sipas radhës: Partia Socialdemokrate me 365 vota, Partia Agrare Ambientaliste me 314 vota, Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet me 312 vota, Partia Aleanca Arbnore Kombëtare me 306 dhe siç e thamë më lart, PD me 299. Një tjetër kandidat i pavarur, Ndrec Shkurt Biba, ka marrë vetëm 4 vota më pak se PD, 295 vota. Kantidimi i të pavarurve në Rrëshen duket se ka qenë trend, pasi kanë rezultuar 5 të tillë. Veç dy emrave të mësipërm, Pashk Ded Krepi me 187 vota, Paris Ferdinand Deda me 68 vota, Zef Ndrec Marku me 39 vota. PBDNJ ka arritur një rezultat të mirë edhe në Bashkinë e Koplikut, ku është shpallur forcë e dytë politike me 226 vota, vetëm një votë më shumë se sa PD me 225 vota. Forcë e parë në këtë Bashki është shpallur PS me 334 vota.
Vau i Dejës, të parët demokristanët
Demokristianët janë shpallur forcë e parë politike në Bashkinë Vau i Dejës, me 579 vota. E pas tyre, ashtu si edhe në disa bashki të tjera të Veriut, një rezultat për t’u pasur zili, kanë arritur legalistët. Ata kanë marrë 47 vota, duke lënë pas demokratët me vetëm 7 vota më pak. Mirë është paraqitur edhe LSI, e cila me 4 vota më shumë (428), ia ka kaluar PS-së. Një bashki tjetër ku demokristianët kanë qenë surprizë, është edhe Ballshi, ku kanë arritur të shpallen forcë e tretë politike me 315 vota, duke u radhitur pas PS-së dhe PD-së.
Të gjelbrit marrin Këlcyrën
Një rezultat i paparashikuar ka qenë edhe në Bashkinë Këlcyrë. Dy forcave politike më të mëdha në rang vendi, asaj Demokratike dhe Socialiste, ua kanë kaluar partitë e vogla. Duke filluar që nga ajo fitimtarja për këtë Bashki, që është Partia e Gjelbër me 122 vota. Pas saj radhitet Partia Socialdemokrate 115 vota dhe e treta, PS me 101 vota. Zhgënjyes ka qenë rezultati i PD-së në këtë Bashki, pasi ndodhet e 15-ta në listë me vetëm 56 vota. Ajo ka lënë pas me vetëm 4 vota më pak Partinë Ligj dhe Drejtësi (52 vota)…

Çorovodë, surprizojnë ballistët dhe komunistët

Me një total prej 692 votash, Lëvizja Socialiste për Integrim del parti e parë në Bashkinë Çorovodë, ndërsa me 50 vota më pak Partia Socialiste del forcë e dytë. E treta, krejt ndryshe nga ç’pritej, ka rezultuar Balli Kombëtar Demokrat me 263 vota, duke lënë kështu pas edhe Partinë Demokratike me 229 vota. Një rezultat inkurajues ka pasur edhe Partia Komuniste në këtë Bashki, ku ka arritur të fitojë 140 vota e pas tij, sërish një forcë tjetër balliste, Partia e Ballit Kombëtar, me 105 vota.

Partia e Ngjelës gjallërohet në Divjakë

Edhe partitë e së majtës kanë pasur disa surpriza zgjedhore. PDS e Paskal Milos doli forcë e dytë në koalicionin e majtë, ndërsa PSV’91 e Petro Koçit mori 25 mijë vota në rang vendi. Ndërkaq, forca politike e themeluar nga Spartak Ngjela, Partia Ligj dhe Drejtësi, në disa komuna nuk ka marrë asnjë votë, në disa bashki është ndarë me pak vota, duke u radhitur gjithnjë nga fundi në listë, ndërsa në Divjakë është shpallur e treta.

Tropojë, PDIU fiton në rrethin pa çamë
Spektakël në Delvinë dhe në Tropojë. Me gati dyfish të votave, PDIU ka dalë e para në Bashkinë Delvinë. Me 1198 vota, PDIU ka lënë pas PS-në me 789 vota dhe PD-në me 468 vota. Ndërkaq, PDIU ka dalë partia e dytë në një rreth pa çamë. Ky rezultat është konsideruar surprizë, edhe pse kreu i PDIU-së ndaloi atje për disa orë, dy ditë para se të mbyllte fushatën. PDIU ka arritur të marrë në Tropojë 341 vota, duke lënë pas PS-në me 324 vota dhe LZHK-në me 287 vota. E para kryeson PD me 620 vota. Ndryshe nga suksesi në Rrëshen, në Tropojë PBDNJ-ja ka marrë vetëm 34 vota, duke rezultuar kështu e fundit.

Fushë-Arrëz, PS e PD “humbin” në listë
Një Bashki e vogël në Veri të Shqipërisë ka turpëruar dy partitë më të mëdha. Partia Socialiste, e 13-ta, dhe Partia Demokratike, e 17-ta. Në të tillë renditje ndodhen dy forcat politike më të mëdha në vend, që për Bashkinë Fushë-Arrëz janë ndër dy më të voglat. Atyre ua kanë kaluar edhe parti me emra, që për herë të parë u dëgjuan në këto zgjedhje vendore. Në listën e fitores të parët janë Demokristianët me 294 vota, e dyta, Partia e të Drejtave të Mohuara e Re me 142 vota, e treta, Bashkimi Demokrat Shqiptar me 123 vota e me radhë, që siç thamë, nga fundi vijnë Partia Socialiste me 69 vota dhe Partia Demokratike me 55 vota.

Andrea Shahinas: “Pse mora vetëm një votë”

Andrea Shahinas u regjistrua si i pavarur në garën për kryetar komune në Lekas të Korçës dhe pas shpalljes së rezultatit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, figuroi me vetëm 1 votë. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, ai sqaroi këtë rezultat: “Pak ditë para mbylljes së fushatës zgjedhore unë arrita të bëj një bashkëpunim me kandidatin e Partisë Demokratike dhe e mbështeta atë. U kërkova miqve dhe elektoratit tim që votën time t’ia jepnin atij, i cili edhe ka fituar tashmë. Kam mbetur i kënaqur nga bashkëpunimi dhe më vjen keq që nuk u morëm vesh që në fillim, para se të miratohej lista e kandidatëve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”. Megjithatë, edhe vetë Shahinas nuk e di se kush ia ka dhënë atë votë. “Mbase dikush që nuk u informua që unë jam tërhequr nga gara”, sqaron ai, ndërsa shton se në Lekas ka arritur të marrë dhjetëra vota për kandidatin demokrat, të cilat ishin “të tijat”.

 

ELISABETA ILNICA


© Panorama.al

Te lidhura