Cooper, ftesë për dialogun: Të premten në Bruksel

Nov 15, 2011 | 9:30

PRISHTINE- Robert Cooper iu ka propozuar palëve që të vazhdojnë bisedimet në Bruksel, këtë të premte. Kjo konfirmohet nga delegacioni i Kosovës, i cili është i gatshëm të shkojë në kryeqytetin europian. Por, ende nuk dihet qëndrimi i palës serbe. Catherine Ashton beson se Presidenti i Serbisë do t’i përgjigjet pozitivisht thirrjes për t’u kthyer në bisedime.

Lajmin e konfirmon Zyra e Zëvendëskryeministres Edita Tahiri, e cila udhëheq delegacionin kosovar në bisedimet me Serbinë.

“Mund të them se z. Cooper po angazhohet me palën serbe që takimi i radhës të ndodhë të premten”, ka thënë Visar Xani, Këshilltar Politik i Zëvendëskryeministres, të hënën në një prononcim për Express.

Disa javë pas ndërprerjes së bisedimeve, diplomati britanik duket se ka arritur të bindë palët që të menaxhojnë kufijtë së bashku. Sido që të jetë, ende nuk dihet nëse kjo çështje do të futet në diskutim në raundin e ardhshëm të bisedimeve apo do të vazhdohet me temat e mbetura siç është bashkëpunimi rajonal, telekomi dhe energjia.

Prishtina mbetet e gatshme të shkojë atje, pavarësisht se ende nuk dihen temat për të cilat do të diskutojnë palët.

“Ne si palë kosovare jemi gati kurdo që caktohet një datë për raundin e ardhshëm”, ka thënë Këshilltari i Zëvendëskryeministres Tahiri.

© Panorama.al

Te lidhura