CEZ: “Ok” liberalizimit sipas paktit të privatizimit

Oct 7, 2011 | 11:52

Kompania “CEZ Shpërndarje” është shprehur e gatshme të bashkëpunojë për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në vend, nismë që u lançua pak ditë më parë nga Ministria e Ekonomisë. Për çekët e CEZ-it, liberalizimi duhet të kryhet në përputhje të plotë edhe me marrëveshjen e privatizimit, që është nënshkruar me qeverinë gjatë privatizimit të 76 për qind të aseteve të ish-OSSH-së. “Ndryshimet në ligjin për sektorin e energjisë duhet të jenë në përputhje me marrëveshjen e privatizimit dhe sektorit duhet t’i jepet koha e duhur për t’u përgatitur për liberalizimin e tregut. Hapa të tillë si reforma e tarifave, procesi i ndarjes së linjave të biznesit për të tri kompanitë e këtij sektori, rishikimi i objektivave të përcaktuara etj., duhen ndërmarrë përpara liberalizimit të tregut”, thuhet në një deklaratë të CEZ Shpërndarjes. Sakaq, kompania e shpërndarjes sugjeron që liberalizimi të kalojë një fazë tranzicioni, duke u shtrirë në disa vite, për të eliminuar rritjet e tarifave, sikurse kanë treguar eksperienca të tjera të mëparshme.

© Panorama.al

Te lidhura