Censusi, më keq Tepelena dhe Hasi, më mirë Dibra

Oct 12, 2011 | 11:01
Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja

Pavarësisht ecurisë së përgjithshme të censusit në vend, INSTAT-i ka komentuar dje qytetet ku ka ecur më mirë ky proces dhe ku ka çaluar, kjo vlerësuar sipas përqindjeve të banesave të numëruara. Kështu, Tepelena dhe Hasi duket të jenë dy rrethet ku përqindjet janë nën mesataren e llogaritur, me përkatësisht 37.1 për qind banesa të numëruara tek e para dhe 36.9 për qind për të dytin. Në një njoftim për shtyp dje INSTAT njoftoi se në gjithë vendin deri tani janë numëruar 52 për qind e gjithë banesave në vend. “Disa nga rrethet që kanë pasur performancën më të lartë, pra mbi këtë mesatare (52%) janë, Berati (58%), Dibra (67%), Pogradeci (62%), Lezha(56.7%). Nga ana tjetër, disa rrethe janë nën mesataren e përllogaritur, si: Durrësi (47.1%), Hasi (36.9%) dhe Tepelena (37.1%). Ndërkohë që në Tiranë janë numëruar 50.2% e ndërtesave të parashikuara”, thuhet në njoftimin e INSTAT-it. Sakaq, u njoftua edhe një rritje e numrit fillestar të anketuesve për shkak të volumit të banesave që kanë disa zona në vend dhe ky numër ka kaluar nga 11 mijë e 712 anketues në 11 mijë e 902. Shtesë është kërkuar dhe për pyetësorë për qytete të mëdha, duke filluar nga kryeqyteti dhe disa qytete të mëdha në vend, si Durrësi apo Vlora.

© Panorama.al

Te lidhura