“Regjistrimi i popullsisë në Shqipëri do të duhej të funksiononte si një instrument për funksionimin më të mirë të administratës publike shqiptare kundrejt qytetarëve të vet dhe për garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve që jetojnë në vend”, deklaroi sot, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke, Gregoris Delavekuras.
Ai ka komentuar vendimin e grupeve perfaqesuese te minoritetit grek per bojkotin e procesit te regjistrimit, duke argumentuar kete si mungese besimi ndaj shtetit.
“Vendimi i përfaqësuesve të grupeve të minoritetit, përfshirë minoritetin etnik grek për t’iu bërë thirrje pjesëtarëve të tyre për bojkot, në shenjë proteste se nuk garantohet respektimi i të drejtës së vetëpërcaktimit të lirë, tregon mungesë besimi të minoritetit ndaj shtetit shqiptar, çka duhet ta trajtojë menjeherë vetë qeveria shqiptare”, shtoi Delavekuras, cituar nga agjencia greke ANA.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke theksoi se respektimi i të drejtave të minoritetit përbën kriter esencial të BE për procesin e integrimit.
Greqia, sipas tij, ka investuar vazhdimisht për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me Shqipërinë, duke e konsideruar si të mirëqenë respektin dhe mbrojtjen e minoritetit – urë miqësie midis të dy vendeve.











