Censusi, Greqia ankohet në Bruksel

Oct 7, 2011 | 13:05
Census

Qeveria greke reagoi dje ndaj regjistrimit të popullsisë në Shqipëri. Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Grigori Delavekuras, tha se vendimi i pakicës greke në Shqipëri për të abstenuar procesin e regjistrimit të popullsisë, tregon mungesë serioze të besimit të minoriteteve ndaj shtetit shqiptar. I pyetur nga gazetarët në konferencën për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke tha: “Ne besojmë se regjistrimi duhet të shërbejë si një mjet për funksionimin më të mirë të administratës publike shqiptare për qytetarët dhe për të ruajtur dhe mbrojtur të drejtat e pakicave që jetojnë në vend.
Vendimi i përfaqësuesve të pakicës greke, për të ftuar anëtarët e tyre të abstenojnë, tregon mungesën e besimit të pakicave në shtetin shqiptar dhe duhet vetë qeveria shqiptare ta zgjidhë këtë”. Sipas zëdhënësit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe të pakicave është një kriter thelbësor për përparimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. “Greqia ka investuar për të ndërtuar marrëdhënie të mira me Shqipërinë dhe do të vazhdojë të bëjë kështu, duke pasur parasysh në këtë drejtim edhe mbrojtjen e të drejtave të pakicës greke, e cila formon një urë të miqësisë midis dy vendeve”, tha ai.
Pyetjes a ishte dakord me bojkotin e deklaruar nga OMONIA, Delavekuras iu përgjigj: “Ky është një vendim i përfaqësuesve të pakicave në vend dhe është një vendim, i cili, siç thashë, për fat të keq, pasqyron mungesën e besimit në shtetin shqiptar”.
Amendamentet
Eurodeputetët grekë kanë kërkuar shfuqizimin e amendamenteve të PDIU-së dhe i kanë sulmuar ato si jo në përputhje me të drejtën e minoriteteve. Marjeta Janaku, drejtuese e Grupit Parlamentar të Demokracisë së Re në Parlamentin Europian, dorëzoi pyetje zyrtare në lidhje me censusin në Shqipëri. “Si e cilëson nenin në lidhje me vendosjen e një gjobe te qytetarët që deklarojnë kombësi të ndryshme nga ajo që janë, të shënuar në të dhënat zyrtare dhe sa lidhjet kjo me parimet europiane për mbrojtjen e minoriteteve? Duke qenë se ky regjistrim kryhet me financimin e Bashkimit Europian, çfarë masash do të merrni që autoritetet shqiptare të kryejnë ndryshimet e menjëhershme të bazës ligjore që përcakton procedurën? Si e cilësoni vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe sa mund të cilësohet kjo në përputhje me ligjshmërinë europiane?”. Këto janë pyetjet e eurodeputetes Janaku drejtuar Komisionit Europian. Ndër të tjera, eurodeputetja greke sqaron se “kërcënimi i paralajmëruar për vendosjen e një gjobe në shumë të madhe për secilin qytetar që deklaron kombësi të ndryshme nga ajo që ka të shënuar në të dhënat zyrtare të shtetit shqiptar (neni 20 i amenduar i ligjit 10442 – bëhet fjalë për amendamentin e PDIU-së), penalizon në thelb deklarimin e lirë të qytetarëve për origjinën e tyre kombëtare dhe në përfundim hedh në erë saktësinë e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, që pritej disa dhjetëvjeçarësh”, shprehet eurodeputetja.

Vendimi
Eurodeputetja greke sjell në vëmendje vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për ligjin e Gjendjes Civile. “Në bazë të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, u shpall si jokushtetues ligji për ndryshimin e kombësisë, që lejonte mijëra qytetarë që të merrnin sërish kombësinë e tyre, që u kishte ndryshuar dhunshmërisht nga autoritetet e diktaturës së Hoxhës”.

Elbasan, prefekti: Të merret seriozisht censusi
ELBASAN – Ankesat për procesin e regjistrimit të popullsisë si dhe numri i pakët i anketuesve, sjellin dyshimin se ai nuk do të përfundojë brenda 21 ditësh. Gjatë një takimi me kryetarët e komunave në qark, takim ky i parë pas konstituimit të qarkut, prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, ka kërkuar që ky proces të konsiderohet si një aksion i rëndësishëm, kryesisht në komunat e qarkut. Duke e cilësuar si një proces që po vijon normalisht, prefekti ka deklaruar se në disa komuna të qarkut ende nuk ekziston zyra e censusit. “Duhet të merreni seriozisht me këtë aksion dhe nuk duhet ta konsideroni si detyrë sekondare”, tha Deliallisi. Nga ana e tij, kreu i komunës Bradashesh, Sabri Sollaku, ka kërkuar shtim të numrit të anketuesve, në komuna me numër të madh banorësh.             m.s

Korçë, Shëngjergj, ende i bllokuar procesi
KORÇE – Në fshatin Shëngjergj të komunës Pajovë në Korçë vazhdon të jetë i bllokuar procesi i regjistrimit pas pezullimit të anketueses së njërës prej zonave. Pak ditë më parë, disa familje reaguan ndaj regjistrueses, duke e cilësuar punën e saj të njëanshme, pasi, sipas tyre, nuk shënonte kombësinë e tyre greke. Por, të nesërmen, dhjetëra banorë të fshatit protestuan në qendër të Shëngjergjit, duke deklaruar se ata janë me kombësi shqiptare dhe jo greke, madje me besim mysliman. Këto reagime sollën dhe pezullimin nga puna të anketueses Mimoza Ashimi dhe për dy ditë procesi i censusit në këtë zonë nuk është kryer. Ndërkohë, në të gjithë qarkun e Korçës vazhdon regjistrimi pa u shënuar ndonjë incident nga ana e anketuesve apo qytetarëve.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura