Celularët, biznesi: Shumë kontrolle

Apr 15, 2011 | 10:26

Biznesi në vend ankohet se vonesat që shkaktohen nga procedura e kontrollit të eksportit dhe importit të mallrave sensitivë, i shkaktojnë një kosto të lartë ditore që varion nga 20-30 mijë euro.Problematika është diskutuar dje gjatë një takimi të zhvilluar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë me drejtorin e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, Erald Dervishi. Bizneset e Dhomës janë shprehur se kjo formë kontrolli e mallrave, përdorimit të dyfishtë ku përfshihen telefonat, kompjuterët apo të gjitha mallrat teknologjike e kimike, ka krijuar një “superdoganë” dhe një “barrierë” të fortë. Drejtori i AKSHE theksoi se kontrolli i mallrave me përdorim të dyfishtë është një detyrim i ligjit, por nuk ishte në dijeni që kostoja që kishte biznesi nga vonesat shkonte 20-30 mijë euro dita.
Erald Dervishi, drejtor i AKSHE: Duhet të pranojmë që nga janari i këtij viti kemi parë që ka pasur problem nga ana e biznesit, të cilët mendojnë se kjo formë kontrolli pengon dhe vonon punën e tyre. Për të sqaruar më mirë se cilat janë mallrat sensitive që konsiderohen me përdorim të dyfishtë, për të cilat dhe ju keni hapur problemin tuaj, duhet të them se janë të gjitha ato mallra që janë për qëllime civile, por që përdoren edhe për qëllime ushtarake. Siç mund të jenë ato elektronike, teknologjike, kimike, disa lloj pajisjesh dhe makinerish që gjithsej përbëjnë një listë me 8 mijë mallra.
Qirjako Kocollari: Kjo formë kontrolli e mallrave që quhen të përdorimit të dyfishtë ka krijuar një superdoganë dhe na ka krijuar një barrierë të fortë dhe po e çon Shqipërinë në fund të vendeve të rajonit. Na është shkaktuar gjatë kësaj kohe më shumë se 24 orë vonesa në kontrollet doganore dhe jo për pak, por për rreth 75 për qind të mallrave që vijnë nga jashtë dhe që konsiderohen të përdorimit të dyfishtë. Unë mendoj se është treguar një zell i tepruar për të quajtur mall të përdorimit të dyfishte gjithçka, përfshi dhe një celular të thjeshtë apo një kompjuter, sepse duket se çdo gjë që nuk është fruta–perime quhet sot mall i përdorimit të dyfishtë.
Erald Dervishi: Unë e kuptoj shqetësimin tuaj dhe kjo ka filluar të bëhet e ndjeshme që prej janarit 2011. E kuptoj që ju keni nevojë për fleksibilitet, por duhet të dini dy gjëra. E para, nuk janë 75 për qind e mallrave ato që janë për përdorim të dyfishte, sepse niveli  i produkteve që hyjnë e dalin është i pafund dhe ato përbëjnë vetëm 5 për qind të mallrave që importohen apo eksportohen dhe me kod doganor ato ndalohen të gjitha për t’u kontrolluar, por që sot e tutje, vetëm një pjesë e vogël e tyre do të kontrollohen edhe në qoftë se janë për përdorim të dyfishtë. E dyta, kjo procedurë është vendosur të zgjasë vetëm gjashtë muaj.
Genc Boga, zv.president i Dhomës Amerikane të Tregtisë: Çfarë do të ndodhë pas gjashtë muajsh? Sepse këtu, me sa po kuptojmë, nuk është problem me procedurën, por me zellin e tepruar për të bërë kontrolle për çdo produkt dhe duke vonuar kështu biznesin që humbet miliona.
Erald Dervishi: Është detyra jonë, në bashkëpunim me Doganën, që të zbatojmë ligjin, por ne jemi vetëm 23 veta dhe nuk und të bëjmë gjithçka. Unë personalisht jam mjaft sensitiv për këtë situatë të krijuar dhe u kam kërkuar të gjitha bizneseve që të marrin informacion paraprak nëpërmjet faqes së internetit, të mësojnë se malli që po marrin është për përdorim të dyfishtë, në mënyrë që të marrin një leje paraprake dhe, në rast se kjo procedurë përsëritet, të vijnë te ne dhe të marrin licencën për import-eksportin e këtij malli.
Adriana Berberi: Drejtoria e Doganave ka kodet doganore për të gjitha produktet dhe normalisht edhe për ato me përdorim të dyfishtë, si dhe database për të gjitha subjektet që kryejnë veprimtari me këto produkte. Nuk e keni parë të nevojshme ta përdorni këtë database për të pasur informacion?
Erald Dervishi: Shqipëria është një vend që për vetë natyrën e saj të zhvillimit hyn te vendet sensitive dhe kjo fazë paraprake ishte e nevojshme. Ligji Nr. 9707, që rregullon veprimtarinë e AKSHE, është tërësisht në përputhje me EU dhe i asistuar prej tyre. Në këtë ligj është përfshirë edhe importi i mallrave, përveç eksportit dhe transitit, që e ka gjithë Europa, për faktin se ne hyjmë te vendet në zhvillim, ku është e nevojshme të ushtrohet kontroll edhe mbi importin e këtyre produkteve. Por nuk e kemi kështu ligjin vetëm ne, e kanë dhe vende të tjera të ish-Lindjes, si Hungaria apo Çekia.
Adriana Berberi: Ndoshta ka qenë e nevojshme të bëhej një kryqëzim informacioni edhe me Doganën, në mënyrë që të mos bëhet tendencioz kontrolli doganor për çdo mall që vjen me pretekstin se po shikohet se mos është mall i dyfishtë.
Erald Dervishi: Mbas gjashtë muajve nuk do të ketë nevojë për ndalime dhe kontrolle doganore sepse ne mendojmë se ka kaluar periudha e informacionit dhe kush ka nevojë për licencë, e ka marrë dhe të tjerët nuk do të kenë nevojë më as për lejen përjashtuese. Duke parë shqetësimin tuaj, unë do të kërkoj që kjo kohë të shkurtohet akoma dhe më shumë sepse edhe pse isha personalisht në dijeni të problemeve që kishte biznesi, nuk e dija që kishte kosto kaq të lartë, 20–30 mijë euro humbje në ditë nga vonesat dhe do të interesohem personalisht që këto të mos ndodhin më.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura