Që Bajerni të triumfojë në finalen e Champions-it, veç Di Mateos, i duhet të mundë pak Arrigo Saki dhe pak Dino Zof. Skema me të cilën 11 të besuarit e trajnerit italian do të zbresin në “Alianc-Arena”, do të jenë një ndërthurje tekniko-taktike e legjendave italiane të stolit. Kjo nuk është hera e parë që Di Mateo konsultohet me profesorët e tij. 41-vjeçari e ka bërë edhe përpara gjysmëfinaleve me Barcelonën. Katenaçua e famshme rezultoi e suksesshme si në “Stamford Bridge”, ku anglezët fituan 1-0, ashtu edhe në “Kamp Nou”, ku barazuan 2-2 dhe prenë biletën për në 19 maj. Por kësaj radhe nuk do të ketë Katenaço. Të paktën kështu lë të kuptohet menaxheri provizor i bluve të Londrës pas stërvitjes së të enjtes në qendrën stërvitore “Cobham”. Kur e pyesin nëse është konsultuar sërish me profesorin e tij Arrigo Saki, Di Mateo përgjigjet me një batutë: “Sigurisht. Përderisa këshillat e tij eliminuan Barçën, përse të mos e provojmë edhe me Bajernin. Unë flas shpesh me ish-trajnerin tim, gati çdo fundjavë. Ai më pyet si shkojnë gjërat në skuadër dhe më jep ndonjë mendim. Kjo është krejt e natyrshme. E njëjta gjë ndodh edhe me Zofin”, – thotë për faqen online të UEFA-s ish-asistenti i Andre Vilas Boasit. Më pas, ai flet edhe për ndeshjen dhe faktin që skuadra e tij vjen me moral më të lartë, pasi Bajerni u mund në finalen e kupës 5-2 nga Dortmundi. “Flitet shumë për humbjen e Bajernit me Dortmundin, por mos harroni se skuadrat nuk vlerësohen vetëm nga një ndeshje. Bajerni ka futbollistë të shkëlqyer, të cilët do na hapin shumë probleme. Kjo ndeshje do jetë shumë e vështirë, sepse të tilla janë finalet e Champions-it”,- shton trajneri i Çelsit.
Roben: Finalja e jetës
Ylli holandez i Bajernit, Arjen Roben, pretendon të shkruajë historinë me klubin bavarez. “Ne do përpiqemi të shmangim presionin dhe ta zëvendësojmë me motivim. Kemi nderin të jemi pjesë e finales dhe do luftojmë me mish e me shpirt për ta fituar atë. Do jetë ndeshja e vitit, madje sfida e jetës dhe e dimë se përse luajmë ndaj Çelsit. Do jetë kupa jonë e parë, dhe e fundit në shtëpi. Çelsi ka qenë 6 herë në gjysmëfinale në vitet e fundit, ndaj ka shumë eksperiencë dhe për ta do jetë shansi i fundit të fitojnë një trofe me shumë vlerë”.
Kërcënimi i huliganëve
Rreth 400 huliganë gjermanë janë skeduar nga Policia e Mynihut dhe nuk do të lejohen të hyjnë në stadium gjatë finales së Champions-it. Personat, të cilët janë përshkruar si shumë të rrezikshëm për shkak edhe të bindjeve të tyre neonaziste, kishin planifikuar të provokonin incidente me rivalët e tyre anglezë, si brenda, ashtu edhe jashtë stadiumit. Gjithsesi, ndonjëri prej tyre pritet të arrijë t’u shpëtojë filtrave të policisë ditën e shtunë. Por policia tha se janë marrë të gjitha masat që këta persona të mos i afrohen stadiumit që 24 orë përpara finales.











