Çelet Universiteti i parë Islamik në Shqipëri

Apr 8, 2011 | 10:41

Përurohet Universiteti islamik “BEDËR”. Sipas kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, me këtë iniciativë bëhet më në fund realitet një nga ëndrrat e kahershme të myslimanëve shqiptarë. “Urdhri i parë i Kuranit të madhërishëm është: lexo! Ne sot po hedhim një hap të rëndësishëm te të rinjtë, që të lexojnë e studiojnë”, tha Muça. I pranishëm në ceremoninë e djeshme ishte edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha. Universiteti “BEDËR” do të ofrojë programe studimore të ciklit të parë në dy fakultete, me gjashtë departamente. Në Fakultetin e Shkencave Humane do të ofrohen programet e studimit në Departamentin e Shkencave Islame, Departamentin e Shkencave Juridike dhe Departamentin e Shkencave të Komunikimit. Ky fakultet do të përmbajë gjithashtu edhe një qendër kërkimore “Për Dialogun Ndërfetar dhe Ndërkulturor”. Fakulteti i Filologjisë dhe Edukimit do të ofrojë tri mundësi të tjera studimi në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Arabe dhe Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Turke. Ndërkohë, në këtë fakultet do të jetë aktive edhe Qendra kërkimore-zhvillimore “Për Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe”. Përfaqësuesi i fondacionit, Sema, një nga bashkëpunëtorët e KMSH për ngritjen e këtij universiteti, pohon se të tilla shkolla do të shërbejnë për të mirën e njerëzimit. “Besoj se në këto shkolla do të jenë arkitektët e së ardhmes. Dhuna nuk do të ekzistojë më, por vetëm dialogu”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura