Janë çelur mbrëmë dyert e godinës së Misionit të Shqipërisë pranë Bashkimit Europian.

Të pranishëm në ceremoni ishin komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos dhe kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se dikur në Bruksel “binte shi e bënte ftohtë brenda”, ndërsa theksoi se situata ka ndryshuar pasi është plot energji pozitive dhe fytyra të këndshme.
“Nuk jemi mësuar me këtë, Marta”, iu drejtua Kryeministri, komisioneres për Zgjerimin e BE-së.
“Dikur, kur vinim, binte shi e bënte ftohtë jashtë dhe binte shi e bënte ftohtë brenda. Tashmë është ndryshe. Çfarëdo të ketë jashtë, brenda bën ngrohtë dhe është plot energji pozitive, fytyra pozitive dhe buzëqeshje të këndshme. Nuk jemi mësuar me këtë, Marta, ndaj është e jashtëzakonshme më në fund ta përjetosh këtë gjë, që është e vazhdueshme gjatë gjithë vitit dhe po bëhet e përhershme. Dua t’ju falënderoj të gjithëve sinqerisht që jeni këtu dhe të falënderoj sinqerisht e me gjithë zemër për punën secilin prej jush”, tha Rama.
Ndërsa Marta Kos nisi fjalën saj duke u shprehur se: “E ndjej veten… ndjesë, si ambasadoren e katërt të Shqipërisë këtu në Bruksel”.
Ajo theksoi se vendi po jep rezultate, duke shtuar se është detyra e saj “t’ju sjell ju, Shqipërinë, në shtëpi, në Europë”.
“Po ju po jepni rezultate. Arsyeja e dytë është se ju nuk po flisni vetëm, ju po realizoni. Ne shohim veprat. Nuk jua shpreh dot sa e lumtur jam kur kam mundësi të shpjegoj me fakte që ju keni bërë një përparim vërtet gjigant dhe është e gjitha falë punës suaj.
Më pëlqen gjithnjë ta theksoj, nuk ka asnjë proces anëtarësimi pa një udhëheqje të përkushtuar, që nuk i kthehet së shkuarës duke kërkuar të gjejë justifikime se pse diçka është e pamundur, por ju keni një udhëheqje ose keni një udhëheqës, i cili sheh nga e ardhmja që të shquajë apo të kërkojë arsyet e përgjigjet se pse diçka është e mundur. Ky është – dhe do thoja mos më citoni – ky është një nga dallimet më të mëdha midis Shqipërisë dhe disa shteteve të tjera nga Ballkani Perëndimor. Sigurisht, i dashur Kryeministër, i dashur Edi, e kam fjalën për ju dhe do ta mbyll duke thënë: “Kjo është shtëpia juaj e re”. Detyra ime është t’ju sjell ju, Shqipërinë, në shtëpi, në Europë”, tha Komisionerja.












