
Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, jep dorëheqjen nga drejtimi i kësaj force politike, për t’iu përkushtuar karrierës profesionale. Ai ka vendosur të kandidojë për anëtar të asociuar të Akademisë së Shkencave dhe sipas ligjit për funksionimin e këtij institucioni, kandidati nuk duhet të ketë detyra partiake dhe politike. Lajmin për dorëheqjen e ka dhënë për gazetën vetë Ceka. “Unë kam aplikuar për t’u bërë anëtar i Akademisë së Shkencave. Kam ndjekur njëkohësisht edhe karrierën profesionale, edhe karrierën politike. Nuk jam shkëputur asnjë ditë. Në vazhdim të karrierës profesionale ka ardhur koha të aplikoj për në Akademinë e Shkencave. Një nga kushtet që të jem anëtar i Akademisë është që të mos kem funksione të larta politike dhe partiake. Për të plotësuar këtë kusht, kam dhënë dorëheqjen si president i Aleancës Demokratike. Nuk ka ndonjë gjë që lidhet me ndonjë ambicie tjetër politike”, u shpreh ish “Presidenti i Nderit” të PAD-së gjatë një prononcimi për gazetën “Panorama”.
Ceka është larguar nga drejtimi i partisë në fund të muajit shtator, për shkak se më 30 shtator ishte afati i fundit për kandidatët për të aplikuar për një pozicion të mbetur bosh në Akademinë e Shkencave. Në këtë institucion, vend vakant është lënë nga Myzafer Kërkuti, i cili, nga anëtar i asociuar, është bërë anëtar i përhershëm. Sipas ligjit të Akademisë së Shkencave, një anëtar duhet të qëndrojë dy vjet me statusin “i asociuar” dhe më pas mund të bëhet “i përhershëm”. Largimi i Cekës nga drejtimi i PAD-së vjen në një moment kur ai ishte në fund të mandatit të tij dhe në muajin janar pritet të zhvillohet kongresi i partisë. Pas largimit të Cekës, figura më e lartë në PAD është Arben Demeti, një tjetër ish-themelues i Partisë Demokratike.











