Byroja e Kuvendit vendosi të hedhë poshtë kërkesën e 9 deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët kërkonin përjashtimin për 15 ditë të kryeministrit, Sali Berisha nga seancat plenare, pas fjalëve të tij në adresë të deputetit socialist, Sajmir Tahiri.
Byroja e ka hedhur poshtë kërkesën si të pabazuar.
“Me dëshirën për një frymë bashkëpunimi për 12 prioritetet e BE, Kryetarja e Kuvendit nuk përjashtoi nga punët e Kuvendit deputetin e PS-së, Saimir Tahiri, i cili në mënyrë të përsëritur, larg etikës parlamentare, në seancën e kaluar, ka shkelur nenin 64, 65 të Rregullores, duke tentuar të provokojë seancën plenare.:- thuhet në deklaratën e Kuvendit.

Byroja i kërkoi Kryetares së Parlamentit që të jetë e vëmendshme dhe rigoroze në zbatimin e Rregullores, sidomos në rastet e provokimeve nga deputetë përsëritës, sikurse është rasti si Tahirit, i cili është dënuar edhe më parë për të njëjtat arsye.
Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit tha se “ajo gjithnjë ka qenë dhe do të jetë e kursyer ndaj deputetëve në masat e rregullores për ndëshkim, sidomos në këtë periudhë, kur deputetët duhet të diskutojnë me sens të lartë përgjegjësie dhe të etikës së komunikimit, veçanërisht në sallën e parlamentit.”
9 deputetë të Partisë Socialiste kërkuan sot nga Byroja e Kuvendit përjashtimin me 15 dite nga seancat dhe heqjen e pages për këtë kohë të kryeministrit, Sali Berisha. Kërkesa erdhi, sipas deputetëve soocialistë, pas fyerjeve që kryeministri Berisha bëri në drejtim të deputetit të PS-së Sajmir Tahiri në seancën e fundit parlamentare.
© Panorama.al











