Buxheti, Gjyqësori kundër qeverisë

Nov 22, 2011 | 9:58

Komisioni i Ligjeve

Përplasje mes përfaqësuesve të institucioneve të pavarura dhe Ministrisë së Financave. Prokuroria e gjykata duan më tepër para, Financat refuzojnë

Në ditët e fundit përpara miratimit në Parlament të ligjit financiar, Prokuroria e Përgjithshme dhe Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor kanë kërkuar dje në Komisionin e Ligjeve më shumë para për veprimtarinë e tyre në 2012-n.  Nga ana e saj, Ministria e Financave, megjithëse i vlerësoi si të arsyetuara disa nga kërkesat, nuk mori përsipër t’i plotësojë ato, duke ia lënë gjithçka mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, si filtri i fundit përpara se buxheti të miratohet në tërësi.
Prokuroria
Sekretari i Përgjithshëm i Prokurorisë, Pandi Madhi, kërkoi në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve që fondi prej 5% i pagave të parashikuara për shpërblimin e prokurorëve t’i jepet këtij institucioni për t’u menaxhuar. “Në përgatitjen e programit buxhetor afatmesëm 2012-2014, Prokuroria e Përgjithshme paraqiti kërkesat për fonde të pagave, duke përfshirë fondin e veçantë në masën 5% ose në vlerë absolute 41.5 milionë lekë. Në projektbuxhetin që është paraqitur për diskutim dhe miratim, fondi i veçantë nuk është përfshirë”, theksoi zyrtari i Prokurorisë. Në përgjigje të kësaj kërkese, drejtoresha e Buxhetit, Mimoza Dhëmbi, theksoi se “në lidhje me kërkesën e parë që ka të bëjë me fondin e veçantë, për vitin 2012 është përcaktuar një procedurë e re për të gjitha institucionet buxhetore që fondi i veçantë do të mbahet në Ministrinë e Financave dhe do të përdoret herë pas here në përputhje me kërkesat e institucioneve ose me vendimet e Këshillit të Ministrave. Kjo nuk e pengon aspak kërkesën e Prokurorisë për respektimin e ligjit që ata kanë për shpërblimin e prokurorëve. Në momentin që ata do të shpërblejnë, do të bëjnë kërkesën, ne do të alokojmë fondin. Kërkesa e parë është e zgjidhshme”. Pas kësaj përgjigjeje të Ministrisë së Financave, drejtori i Prokurorisë, Arben Dollapi, ka insistuar sërish duke kërkuar që ky institucion, si i pavarur që është, duhet t’i menaxhojë vetë fondet e tij. Por edhe në këtë rast ka qenë kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili ka kujtuar se Prokuroria nuk mund të bëjë përjashtim nga ligji. Një tjetër kërkesë e Prokurorisë së Përgjithshme ishte që në fondin e saj për vitin e ardhshëm të shtohet një shumë prej 35 milionë lekësh, të cilat të përdoren për ndërtimin e një godine të re të këtij institucioni në Shkodër, blerjen e disa pajisjesh kompjuterike si dhe blerjen e disa pajisjeve për Prokurorinë e Korçës. Lidhur me këtë kërkesë, Ministria e Financave ka pasur një mendim negativ, duke theksuar se parimi i këtij buxheti ka qenë reduktimi i investimeve.
Zyra e Gjyqësorit
Pas Prokurorisë ka qenë Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor që ka zhvilluar një seancë dëgjimore me Komisionin e Ligjeve. Drejtoresha e kësaj zyre, Luljeta Laze, ka kërkuar shtimin e 15 punonjësve në pozicionet: sekretare gjyqësore, specialistë të teknologjisë dhe të marrëdhënieve me publikun, 20 milionë lekë për shpenzime operative dhe 100 milionë lekë për investime. Nga ana e saj, drejtoresha e Buxhetit, Mimoza Dhëmbi, nuk i pranoi këto kërkesa, duke thënë se “jemi të njohur me kërkesën e tyre për rritjen e numrit të punonjësve. Është një kërkesë që vjen çdo vit. Në vitin 2011 është bërë një shtesë në këtë institucion. Në kushtet e një buxheti të kufizuar, parimi bazë ka qenë të mos ndryshojë numri i punonjësve”.
Gjatë ditës së djeshme, i vetmi institucion që ka qenë dakord me fondin e dhënë nga qeveria ishte KLD dhe në të njëjtën linjë është edhe Inspektorati i Deklarimit të Pasurive, që do të jetë të mërkurën në seancë dëgjimore me Komisionin e Ligjeve. Gjykata Kushtetuese pritet t’i kërkojë Parlamentit 36 milionë lekë më shumë nga fondi i dhënë nga qeveria (përfshi këtu edhe 10 milionë lekë për ceremoninë e 20-vjetorit të krijimit të saj). Ndërsa Avokati i Popullit kërkon 2 milionë lekë më shumë për pagat.

Kërkesat e institucioneve të Gjyqësorit
Kërkesat e Prokurorisë
. Në përgatitjen e programit buxhetor afatmesëm 2012-2014 paraqiti kërkesat për fonde të pagave, duke përfshirë fondin e veçantë në masën 5%, ose në vlerë absolute 41.5 milionë lekë. Në projektbuxhetin që është paraqitur për diskutim dhe miratim, fondi i veçantë nuk është përfshirë.
. Fondi nga buxheti i shtetit për vitin 2012 është propozuar për 140 milionë lekë nga 175 milionë lekë që është kërkesa, ose 35 milionë lekë më pak. Nga analiza e objekteve që janë parashikuar në PBA (2012-2014) për Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se për vitin 2012 janë hequr 3 objekte: ndërtimi i godinës së re në Shkodër (23.7 milionë lekë); është pakësuar vlera e parashikuar për “blerje pajisjesh kompjuterike” (10.3 milionë lekë); është hequr vlera e parashikuar për blerje pajisjesh për Prokurorinë e Korçës (1 milion lekë).

Qëndrimi i Ministrisë së Financave
. Në lidhje me kërkesën e parë që ka të bëjë me fondin e veçantë: për vitin 2012 është përcaktuar një procedurë e re për të gjitha institucionet buxhetore, që fondi i veçantë do të mbahet në Ministrinë e Financave dhe do të përdoret herë pas here në përputhje me kërkesat e institucioneve ose me vendimet e Këshillit të Ministrave. Kjo nuk e pengon aspak kërkesën e Prokurorisë për respektimin e ligjit që ata kanë për shpërblimin e prokurorëve. Në momentin që ata do të shpërblejnë, do të bëjnë kërkesën, ne do të alokojmë fondin. Kërkesa e parë është e zgjidhshme.
. Në lidhje me investimet me rishikimin e kuadrit makro janë reduktuar investimet dhe normalisht janë hequr objektet e reja. Ky ka qenë parimi dhe për të gjitha institucionet e tjera dhe të Ekzekutivit. Ka rënë shkurtimi në objektin e ri që ishte parashikuar në Shkodër, do të shtyhet në kohë, jo se do të eliminohet.

Kërkesat e Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor
. Me dekret të Presidentit janë shtuar tre gjyqtarë në shtator 2011 dhe tre të tjerë do të shtohen në vitin 2012. Në kushtet e respektimit të raportit të drejtë gjyqtar/sekretare gjyqësore në Gjykatën e Tiranës kërkohet automatikisht edhe shtesa e 6 sekretareve gjyqësore. Kërkohen edhe 9 punonjës (3 për vitin 2012) për specialistë të teknologjisë së informacionit dhe marrëdhënieve me publikun. Në total kërkohen të shtohen 15 punonjës.
. Kërkohen 20 milionë lekë për shpenzime operative për ruajtjen e godinave, rritjen me 5% të numrit të çështjeve gjyqësore, nivelin e parashikuar të inflacionit në masën 3%, rritjen e çmimit të karburantit me 30% dhe organizimin e Konferencës Ndërkombëtare Vjetore për Drejtësinë.
. Rritjen me 100 milionë lekë në zërin e investimeve për ndërhyrje në infrastrukturën ndërtimore, elektronike, mobilimin e zyrave dhe sallave të gjyqit, sigurinë e punës në gjykata etj.

Qëndrimi i Ministrisë së Financave
. Jemi njohur me kërkesën e tyre për rritjen e numrit të punonjësve. Është një kërkesë që vjen çdo vit. Në vitin 2011 është bërë një shtesë në këtë institucion. Në kushtet e një buxheti të kufizuar, parimi bazë ka qenë të mos ndryshojë numri i punonjësve.
. Sa i përket shpenzimeve operative dhe investimeve, është e vërtetë që me kërkesën e institucioneve as mund të afrohemi. Kërkesat janë gjithmonë më të larta sesa ofrojnë tavanet dhe burimet financiare të një viti. Krahasuar me një vit më parë, ky institucion është trajtuar me kujdes të veçantë. Rritja në këtë institucion për shpenzimet operative është 10%. Edhe te investimet ka një rritje. Projekte ka shumë, por mundësitë financiare janë të kufizuara.
ILKDP – Inspektorati është dakord me projektbuxhetin e vitit 2012.
Gjykata Kushtetuese – Për këtë institucion janë parashikuar 97.628 mijë lekë nga 134.000 mijë lekë që ishte kërkesa. Shpenzimet korrente: fondi i pagave i parashikuar është 62.353 mijë lekë, ndërkohë që për 53 punonjës duhet të jetë 65.467 mijë lekë. Për sigurimet shoqërore fondi është 7.275 mijë lekë, ndërkohë që duhet të jetë 7.574 mijë lekë. Kërkohet një fond prej 10.000 mijë lekë për organizimin e ceremonisë së 20-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese. Investimet: Nga 10.200 mijë lekë që ka qenë kërkesa e Gjykatës, janë parashikuar në buxhet 3.000 mijë lekë.
Avokati i Popullit – Duke iu referuar pagave të vitit 2011, fondi i pagave duhet të jetë 60 milionë lekë, ndërkohë që është parashikuar 58 milionë lekë.

© Panorama.al

Te lidhura