Buxheti, Berisha: Do të rrisim edhe këtë vit rrogat e pensionet

Oct 27, 2011 | 10:51

Qeveria do të miratojë javën e ardhshme buxhetin për vitin 2012. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri tha se edhe vitin tjetër do të ketë rritje të rrogave dhe pensioneve, nga e cila do të përfitojnë rreth 820 mijë familje. “Së pari, rrogat dhe pensionet, pavarësisht nga një krizë e egër borxhesh që ka pllakosur Europën dhe botën, dinamizmi i ekonomisë shqiptare na bën ne të mundur që të qëndrojmë sërish në premtimin tonë, në objektivin tonë të rritjes së rrogave dhe pensioneve. Kjo përbën një lehtësi të madhe për ne, përbën një avantazh shumë të madh pasi investimi në burimet njerëzore është dhe mbetet investimi i të gjitha investimeve, më i rëndësishmi. Kështu që viti i ardhshëm do të shënojë sërish rritjen e ndjeshme të rrogave dhe pensioneve, si dhe të ndihmës ekonomike të mbi 820 mijë familjeve shqiptare”, u shpreh Kryeministri. Në të njëjtën kohë ai bëri të ditur se prioritet i vitit të ardhshëm do të jenë investimet në infrastrukturë, teksa shtoi se të gjitha institucionet shtetërore do të bëjnë 5% shkurtime të shpenzimeve operative. “Të nderuar ministra, do të ketë një shkurtim të shpenzimeve operative për të gjitha agjencitë, përveç institucioneve të zbatimit të ligjit, të cilat nuk do të preken nga ky shkurtim. Institucione të tjera, duke filluar nga Këshilli i Ministrave, do të kenë një shkurtim prej 5% të shpenzimeve operative. Unë ju lutem të shqyrtoni të gjitha mundësitë e kursimeve duke mos cenuar në asnjë rast funksionimin normal. Ka shpenzime të detyrueshme që janë bërë dhe do të bëhen nga të gjitha agjencitë”, theksoi më tej Kryeministri.

Batuta për Ramën
Edhe pse në mbledhje qeverie, Berisha nuk i ka kursyer sërish batutat për kreun e PS-së, Edi Rama, lidhur me librin e fundit të tij. “Politikanët, sipas dëshirës, e vetmja që mund të bëjnë është të shkruajnë kujtime para se të dalin në pension, ose në pension, dhe kjo që po ndodh është bërë dukuri e zakonshme. Edhe libri i fundit ‘Kur hidheshin themelet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës’  është i kësaj gjinie, i kujtimeve në prag të pensionit politik”, u shpreh Berisha.

Ekonomia, Fullani: Rritje edhe në tremujorin e tretë
Përkundër gjithë parashikimeve pesimiste të institucioneve ndërkombëtare për rritjen ekonomike, institucionet e brendshme vijojnë të mbeten optimiste. Një ditë pas deklaratës së ministrit të Financave se Shqipëria ruajti ritmin e rritjes ekonomike dhe se për 2011-n niveli do të jetë 4 për qind, vjen edhe konfirmimi nga guvernatori Ardian Fullani për të njëjtën pikë. Sipas Fullanit, përgjatë këtij viti ekonomia ka vijuar të rritet, pavarësisht ambientit jo të favorshëm të jashtëm. Kreu i BSH-së deklaratën e bëri pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes. “Ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri përgjithësisht pozitive gjatë vitit 2011, ndonëse në prani të një ambienti të jashtëm të pafavorshëm. Aktiviteti ekonomik në vend ka shënuar rritje, ndërkohë që disa nga balancat kryesore makroekonomike e financiare janë kontrolluar e përmirësuar më tej”, tha Fullani. Sipas tij, rritja ekonomike ka vijuar si në tremujorin e dytë, ashtu dhe në atë të tretë, por vlen për t’u theksuar se kjo rritje është kushtëzuar nga shfrytëzimi i pjesshëm i kapaciteteve prodhuese.

© Panorama.al

Te lidhura