Burri plagos me thikë gruan dhe vajzën 17 vjeçe

Jan 15, 2012 | 11:33

Dhoma ku ndodhi ngjarja

MIRDITE/ Ishin në proces divorci, jetonin në kushte të vështira.

Pendohet autori: E dua familjen, nuk kam strehë tjetër.

Një krim i rëndë ndodhi brenda familjes dje në Mirditë, ku burri plagosi me thikë bashkëshorten dhe vajzën 17 vjeçe. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00, kur shtetasi Ilirjan Buraku, banues në qytetin e Rubikut, goditi me thikë familjarët e tij. Ndonëse gjykata kishte vendosur urdhër-mbrojtjeje për të shoqen, Diana Buraku, sipas të cilit ai nuk kishte të drejtë t’i afrohej në një distancë prej 50 metrash, sërish 45-vjeçari ka shkuar në banesën e tij, duke kryer krimin e rëndë. Mësohet se çifti ishte në proces divorci në Gjykatën e Lezhës, por deri në vendimin e saj, trupi gjykues kishte vendosur edhe një urdhër-mbrojtjeje për gruan e cila kishte paraqitur prova të mjaftueshme për të vërtetuar dhunën nga bashkëshorti i saj. Burime të Policisë bënë të ditur se Buraku ka shkuar në mesditë dhe është ngjitur deri në katin e pestë të pallatit ku ai kishte jetuar. Pasi e shoqja nuk ka pranuar t’i hapë derën, ai e ka shkallmuar atë. Në kushtet e një tronditjeje të rëndë psikologjike, për shkak të situatës familjare, por edhe të pamundësisë për të gjetur një strehë tjetër, ai ka nisur të dhunojë gruan e tij 43-vjeçare. Ngjarja ndodhi në sy të dy fëmijëve të tyre, djalit 10 vjeç dhe vajzës 17 vjeçe. Kjo e fundit ka ndërhyrë në tentativë për të shpëtuar nga dhuna nënën e saj, por Buraku e ka qëlluar me thikë në bark të shoqen. Nga pakujdesia dhe rrëmuja e shkaktuar, ai goditi edhe vajzën me thikë. Fatmirësisht, nënë e bijë nuk kanë marrë plagë në organet jetësore, çka bëri që ato të kalonin rrezikun për jetën pas ndihmës së parë në spitalin e Rrëshenit.
Menjëherë pas krimit, Ilirjan Buraku është larguar nga banesa në tentativë për t’u fshehur në afërsi të qytetit të Rubikut në një pyll me pisha. Ndërhyrja e shpejtë e policisë bëri të mundur  arrestimin e tij. Ndërsa të plagosurat u dërguan në spital, nga ku mësohet se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se bashkëshortët ishin të papunë. 45- vjeçari kishte shumë kohë që ishte kthyer nga emigrimi. Me paratë e fituara ai kishte arritur të blinte banesën në Rubik, por më pas ata ishin ndeshur në vështirësi financiare për shkak të papunësisë. Familja Buraku jetonte në minimumin jetik, pasi nuk kishte asnjë burim të ardhurash. “Ilirjani nuk duhej t’i afrohej banesës së tij, në një distancë më shumë se 50 metra. Ai vazhdimisht vinte në hyrje të apartamentit të tij në katin e pestë dhe e gjenim pas dere, duke qarë për fëmijët e tij. Na thoshte vazhdimisht se e donte bashkëshorten e tij dhe fëmijët e se nuk donte të divorcohej. Ditët e fundit ai kishte shfaqur probleme, pasi ishte edhe i pastrehë”, u shprehën banorë të pallatit ku ndodhi ngjarja. Fqinjë të tij pohuan se prej disa kohësh kishin dëgjuar konflikte në familje dhe se ata jetonin në kushte të vështira ekonomike.
Pas arrestimit, 45-vjeçari është shprehur se nuk e pranonte divorcin me bashkëshorten, pasi kishte sakrifikuar një jetë të tërë në emigrim për të dhe fëmijët e tij. “Kam qëndruar për ditë të tëra jashtë, prej një muaj e gjysmë. Nuk mund të qëndroja më jashtë dhe larg fëmijëve të mi. Jam penduar për krimin, por tashmë kjo ndodhi. Unë e dua familjen time”. Kështu mësohet të jetë shprehur Buraku në polici gjatë marrjes në pyetje.

Fqinjët: Pa shtëpi, endej rrugëve
Fqinjët e 45-vjeçarit u shprehën se prej më shumë se një muaji ai endej rrugëve, pasi nuk kishte një strehë. Duke qenë se gjykata kishte vendosur t’i jepte urdhër-mbrojtjeje gruas së tij, atëherë Buraku nuk kishte të drejtë t’i afrohej asaj më shumë se 50 metra. Mungesa e një strehe kishte ngarkuar akoma dhe më shumë psikologjinë e 45-vjeçarit, i cili përveçse po humbte gruan e fëmijët, nuk kishte as edhe një shtëpi ku të rrinte.

Policia e arreston në pyll
Pas ngjarjes së rëndë, ku mbeti e plagosur gruaja dhe vajza, Ilirjan Buraku tentoi të largohej nga qyteti, por Policia e Mirditës, pas sinjalizimit të dhënë, nisi kërkimet dhe arriti të lokalizonte vendndodhjen e tij në një pyll me pisha, pak metra larg qytetit. 45-vjeçari nuk bëri rezistencë në momentin e arrestimit. Ai shfaqi pendesë ndërsa është shprehur se gjithçka kishte ndodhur në kushtet e një tronditjeje psikologjike

Vendimi: Gjykata i dha gruas urdhër-mbrojtje
Prej një muaji e gjysmë, gjykata kishte lëshuar një urdhër-mbrojtjeje për gruan 43-vjeçare, e cila kishte paraqitur gjithashtu edhe një kërkesë për zgjidhjen e martesës. Ajo kishte argumentuar në kërkesë-padinë se ishte e detyruar të zgjidhte martesën për shkak të dhunës në familje. Derisa gjykata të mbaronte seancat gjyqësore, ku do të ngarkohej edhe një ekspert për të kryer një vlerësim psikologjik për kujdestarinë e fëmijëve, ishte vendosur që bashkëshorti i saj të mos kishte të drejtë t’i afrohej së shoqes.

MIRDITE/ ROLAND NIKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura