
BURREL – Metalurgët e Uzinës së Ferrokromit Burrel kanë vendosur t’u rikthehen lëvizjeve të tyre sindikaliste, duke kërkuar rikthimin e tyre në punë dhe nënshkrimin e kontratës së punës me firmën koncesionare. Dhjetëra metalurgë kanë tubuar dje pranë uzinës, duke vendosur që javën e ardhshme të nisin një grevë urie pa afat, deri në plotësimin e kërkesave të tyre ekonomike. Metalurgët thanë se u ishte premtuar rifillimi i punës, ndërkohë vazhdon zhvatja e makinerive dhe pajisjeve të uzinës. Metalurgët e Burrelit shprehën shqetësimin e tyre se asnjë subjekt politik nuk po i mbështet në lëvizjen e tyre sindikaliste për rifillimin e punës në uzinë, e ndërprerë prej 6 vitesh. Pak ditë më parë, në uzinën e Ferrokromit në Komsi, përfaqësues të firmës koncensionare ACR kërkuan marrjen e të vetmit transformator të kësaj uzine, me pretendimin që do të riparohej në Elbasan, për shkak të disa defekteve që kishte ky transformator. Menjëherë pas marrjes së këtij lajmi, dhjetëra metalurgë janë mbledhur pranë uzinës dhe kanë protestuar këtë veprim. Të gjithë së bashku, me të njëjtin vendim për të mos lejuar daljen jashtë uzine të këtij transformatori, ata kanë detyruar autoritetet përgjegjëse që të marrin një tjetër vendim, atë të nisjes së punës me datë 15 maj 2011, por në të vërtetë nuk ka ndodhur kështu. Pretendimit të ACR-së për gjendjen jofunksionale të transformatorit, si dhe riparimin e tij në Elbasan, metalurgët iu përgjigjën me protestë paqësore. Ndërkohë që kryetari i këshillit të sindikatës Mat, Petrit Frangu, tha se sorollatjeve për nisjen e punës në këtë uzinë duhet t’u jepet fund dhe kundërshtoi në mënyrë absolute lëvizjen e transformatorit, duke paralajmëruar edhe grevën e urisë që mendohet të nisë me datë 25 maj, në mjediset e uzinës. h.p











