I zgjedhur nën siglën e PS-së, 48-vjeçari Pasha kërkon të fitojë mandatin e parë si kryekomunar në Derjan. Kjo njësi vendore, për 20 vjet është qeverisur nga e djathta, ndërkohë që problemet social-ekonomike janë të shumta. Pasha ka një profil të veçantë krahasuar me kandidatët e tjerë. Ai kërkon që vendlindja e tij dhe fshatrat e kësaj komune të zhvillohen, të ndryshojnë, të mirëqeverisen. Kandidatura e tij është mirëpritur nga zgjedhësit e kësaj njësie. Në intervistën e dhënë për gazetën ai tregon lidhjet e ngushta me zonën, problemet e evidentuara, përmend një pjesë të programit elektoral dhe hedh poshtë akuzat e rivalëve në garë.
Përse pranuat të kandidoni për kryetar komune?
Unë jam djalë i kësaj zone me tradita të vyera. Kam punuar në vitet e para të demokracisë në këtë komunë, si drejtues lokal. Gjatë një viti pune kam krijuar lidhje dhe njohje të shumta me të gjithë banorët e kësaj njësie vendore, sidomos me banorët e Derjanit. Pranova kandidimin sepse shtatë fshatrat e kësaj komune kanë mbetur në mëshirë të fatit, si në mesjetë. Duhen fletë të shumta dhe një kohë e gjatë për të numëruar problemet e banorëve të fshatrave Derjan, Barbullej, Urxallë, Dukagjin, Gjocaj, Lami i Madh e Zallë Gjocaj. Jam plotësisht i bindur se kam aftësitë dhe energjitë e mjaftueshme për të kontribuuar për komunën e Derjanit. Unë do të jem një drejtues lokal për të respektuar e dëgjuar të gjithë banorët e komunës, do të jem një menaxher i mirë i fondeve publike, do të jem i gatshëm të bëj transparencë për gjithçka. Ndaj kam besim se do të kem mbështetje të fortë nga zgjedhësit e kësaj zone.
Mbresat që ruani nga vitet 1991-1992, kohë kur keni drejtuar komunën e Derjanit…
Sapo kisha mbaruar Fakultetin e Agronomisë. Isha i papunë dhe banoja në vendlindje, në fshatin tim Gjocaj. U mblodhën në fund të korrikut 1991 forcat politike të Derjanit dhe ranë dakord që unë të isha kryetar i Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Fshatrave të Bashkuar Derjan. Kështu ishte atëherë emërtimi i komunave të sotme. Kishte ndryshuar sistemi politik në vend dhe kaosi sundonte kudo. Ish-kooperativat bujqësore e kishin pushuar aktivitetin e tyre dhe detyra jonë kryesore ishte ndarja e tokave. Në çdo fshat kishim komisionet e ngritura nga ana jonë. Raportohej me korrektësinë më të madhe nga kryetarët e komisioneve, ndoshta çdo javë. Ne ndërhynim në kohë për parandalimin e konflikteve. Asokohe, ne dhe kryetarët e fshatrave menaxhonim gjithashtu ndihmat ushqimore që vinin nga Kryqi i Kuq. Gjithçka ndahej me drejtësinë më të madhe, duke i ndihmuar familjet më të varfra. Mbaj mend një detaj tjetër. Ne vitet ‘90 ishte problem marrja e ushqimeve, pasi gjithçka jepej me listë në dyqanet e tregtisë. Për t’u ardhur në ndihmë banorëve ne dyfishuam numrin e familjeve në gjendjen civile, vetëm që ato të merrnin më shumë ushqime. Kuptohet, në ato vite nuk kishte fonde për investime, pasi gjithçka varej nga institucionet shtetërore. Nga viti 1992-1996 unë u zgjodha në këtë komunë anëtar i këshillit. U zgjodha po ashtu nënkryetar komune, por ish-kryetari nuk pranoi që unë të isha pjesë e stafit. Dhe tani ndjehem shumë mirë që nuk kam punuar asnjë ditë në administratën e komunës Derjan, ndryshe edhe unë do të isha përgjegjës për situatën e krijuar gjatë 20 viteve.
Çfarë ka ndodhur në 20 vitet e fundit në komunën e Derjanit?
Si banor i kësaj krahine të dëgjuar kam ndjekur me shumë vëmendje të gjitha zhvillimet. Unë kam konstatuar me keqardhje se komuna e Derjanit është keqqeverisur prej 20 vitesh. Ka qenë një numër i pakët personash që kanë pasur në dorë fatet e qindra banorëve të Derjanit për dy dekada. Problemet e evidentuara janë shumë. Rruga nga Qafa e Sarajit deri në fshatin Lami i Madh është në gjendje kritike. Nëse fshati i vogël i Macukullit, Shqefni, siguroi rrugë të asfaltuara, rruga e Derjanit ka mbetur si në vitet e para të çlirimit të vendit. Mjafton të ngjitesh në Brinjën e Kamlit, të udhëtosh drejt Urxallës apo Gjocajve për të kuptuar sa keq është punuar për kryerjen e investimeve në rrugë. Është për të të ardhur keq që fusha e Derjanit ka mbetur djerrë për shkak të tarifave të larta të punimeve mekanike dhe mungesës së ujitjes. Dikur fusha e këtij fshati ishte hambar për të gjitha fshatrat e zonës, tani derjanasit blejnë perime dhe miell në treg. Shqetësim tjetër për banorët e Derjanit është dhe mungesa e ujit të pijshëm. Nuk bëhet fjalë për rrugë brenda lagjeve, baxho qumështi, thertore etj.
Si do t’i zgjidhni ju këto probleme nëse fitoni në zgjedhje?
Si fillim do të ndërtojmë një administratë të aftë dhe të ndershme, ashtu siç banorët e Derjanit do ta kërkojnë. Do të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për asfaltimin e rrugës Qafa e Sarajit-Dukagjin; do të sigurohen fondet financiare për ndërtimin e ujësjellësit Zallë Gjocaj-Derjan, një vepër kjo shumë e rëndësishme për komunat Derjan e Rukaj. Komuna do të ketë mjetet e saj mekanike për hapjen e mirëmbajtjen e rrugëve brenda fshatrave edhe kryerjen e punimeve mekanike me kosto të ulët. Do të bëjmë transparencë të plotë të investimeve, të vendimeve të këshillit të komunës, duke qenë vazhdimisht në kontakt me banorët e komunës. Pranë tregut do të ndërtohet një një thertore. Për besimtarët myslimanë do të ndërtohet një xhami në fshatin Derjan. Qeverisë do t’i kërkojmë që banorëve të komunës Derjan t’u dyfishohet ndihma ekonomike. Gjatë fushatës ne do të evidentojmë të tjera kërkesa të banorëve, të cilat do të hyjnë në rrugën e zgjidhjes pas 8 majit të këtij viti.
Cili është slogani juaj gjatë fushatës?
Si një njohës i mirë i problemeve të banorëve të fshatrave të komunës Derjan unë në këtë fushatë kam dalë me sloganin: “Derjani, 46 vjet i persekutuar, 20 vjet i mashtruar”. Pra 66 vjet të shkuara dëm, me vuajtje e gënjeshtra. Kanë kaluar vërtet shumë vite dhe banorët e Derjanit nuk e gjejnë veten aty ku ata e meritojnë. Me pjesën e parë të sloganit dua të them se banorët e mirë, bujarë, patriotë, të mençur e guximtarë të Derjanit janë persekutuar nga regjimi komunist. Me pjesën e dytë të tij kam parasysh se në dy dekada banorët e shtatë fshatrave të Derjanit janë gënjyer, përbuzur, nënshtruar. Në ditët që vijnë, nëpërmjet medias dhe takimeve me çdo zgjedhës, unë do të trajtoj me detaje të gjitha prioritetet e mia për çdo fshat të komunës.
Si do t’u përgjigjeshit akuzave të rivalëve?
Nuk do të kisha dëshirë të merresha me akuzat e tyre, por më duhet të them se ato janë të konsumuara dhe zgjedhësit e Derjanit nuk do t’i besojnë. Ata më thonë mua se nuk jam banor i fshatit Derjan. Unë i sqaroj ata se zgjedhësit e këtij fshati kanë votuar për deputetë nga vise të ndryshme të vendit. Së dyti, rivalët përmendin emra të ndryshëm për punonjës të administratës së ardhshme. Unë deklaroj se administrata do të jetë e tëra nga Derjani e fshatrat e kësaj komune. Asnjë person me lidhje nepotike me mua nuk do të ketë vend në administratë. E kam plotësisht të qartë se kundërshtarët në këtë fushatë do të ngrenë akuza nga më të ndryshmet, por jam totalisht i bindur se zgjedhësit e komunës së Derjanit janë aq të zgjuar sa të kuptojnë se ato nuk janë të vërteta dhe bëhen për fushatë elektorale. Unë do t’i ftoja dy rivalët në garë të zhvillonin një fushatë të qetë, korrekte, brenda standardeve, larg fyerjeve, presioneve, mashtrimeve. Zgjedhësit e Derjanit nuk ngopen më me lugë bosh, as kanë frikë. Vota është prona e tyre më e madhe dhe atë do t’ia besojnë njeriut të punës, atij që do të bëjë transparencë, do të jetë korrekt me ta në çdo moment. Jam i sigurt se vota e tyre nuk këmbehet më kurrë me miell apo me para. Ata duan qeverisje për katër vjet dhe kjo do të realizohet vetëm nga ana jonë.











