Bulqizë, pas marrëveshjes dalin nga greva 9 minatorët e ngujuar

Oct 1, 2011 | 11:33
Minatorët gjatë grevës së urisë

BULQIZE – Nëntë minatorët grevistë kanë lënë dje mjediset e objektit ku ishin ngujuar nga e hëna e javës së kaluar, ndërkohë pritet që me 3 tetor, 700 minatorët e Bulqizës t’u kthehen fronteve të tyre të punës. Grevistët janë dërguar në spitalin e qytetit për t’u vizituar, për shkak të problemeve shëndetësore që ata kanë. Rreth orës 09:00, është deklaruar mbyllja e grevës së urisë. Sipas Taf Kolecit, presidentit të Sindikatës së Industrisë, dalja ndalja e grevës së urisë dhe protestave janë bërë me një vendim të komisionit të grevës dhe Këshillit Sindikal. Po dje, për herë të parë që nga 4 korriku i këtij viti, kur 700 minatorë ndalën punën, është prononcuar për mediat administratori i ACR-së për Bulqizën, Medat Zogu. Ai ka pasur një takim informal me drejtuesin e sindikatës, Taf Koleci. Drejtori i minierës nuk ka folur rreth marrëdhënieve të ftohta që ka me minatorët, por i është referuar kujdesit që do të tregohet nga kompania ACR dhe nga ana e tij për sigurimin e fronteve të punës. “Një pikë e marrëveshjes së nënshkruar mes sindikalistëve dhe pronarëve të ACR-së është edhe sigurimi i fronteve të punës, para se të fillojë puna në galeri. Dihet se një pjesë e këtyre fronteve janë amortizuar e dëmtuar për shkak të erozionit, lagështirës dhe agjentëve të tjerë. Specialistët e RISHM-it dhe ato të avari-shpëtimit të minierës sonë janë porositur të kontrollojnë me imtësi të gjitha galeritë ku do të punohet për nxjerrjen e kromit”, theksoi Medat Zogu. Mësohet gjithashtu se menjëherë pas ndërprerjes së grevës së urisë, Zogu ka mbledhur administratën e minierës dhe i ka porositur punonjësit të jenë korrekt në zbatimin e të gjitha pikave të marrëveshjes së nënshkruar të enjten pasdite. I pyetur rreth takimit me drejtorin e minierës, Koleci tha se takimi ishte formal dhe se ai e minatorët çdo marrëdhënie do ta kenë direkt me pronarët e ACR-së.                               h.p

86 dite
zgjatën protestat e minatorëve të Bulqizës, duke u shoqëruar me dy greva të gjata urie, deri në realizimin e marrëveshjes me kompaninë austriake ACR

© Panorama.al

Te lidhura