Bulqizë, gjendet i pajetë në pyll një javë pasi ishte denoncuar zhdukja

Oct 24, 2011 | 12:15
Foto ilustruese

BULQIZE- Të afërmit kishin denoncuar zhdukjen, gjendet i pajetë 55-vjeçari në komunën Zerqan të Bulqizës. Nga hetimet paraprake të Policisë, mësohet se viktima është shtetasi Fitim Hyka, nga fshati Sopot i këtij rrethi. “Një javë më parë, Fitim Hyka është larguar nga shtëpia, ndërsa të afërmit kërkuan ndihmën e policisë lokale për gjetjen e tij. Mendohet se ai kishte shkuar për një vizitë tek njerëzit e tij të afërm në një fshat tjetër, ndërkohë që dje gjahtarët e kanë gjetur trupin e tij të pajetë në pyjet e fshatit Valikardhë të komunës Zerqan”, bënë të ditur burime të Policisë së Bulqizës. Dje në mëngjes, familjarët kërkuan edhe ndihmën e mediave për të publikuar foton e njeriut të tyre të afërm, por ata janë njoftuar se ishte gjetur trupi i tij i pajetë. Mësohet se viktima nuk ka pasur shenja dhune apo plagë në trup, por do të jetë ekspertiza ajo që do të përcaktojë shkaqet e vdekjes së tij. Megjithëse kjo zonë është mjaft e thellë dhe në të rriten shumë kafshë të egra, fatmirësisht trupi i Hykës nuk është dëmtuar. Burime nga grupi i hetimit thanë se dyshohet që ky shtetas të ketë konsumuar alkool dhe kjo të jetë bërë shkak për vdekjen e tij në rrethana misterioze. Policia lokale sqaroi se ka ngritur një grup hetimor dhe po merr dëshmi e prova për zbardhjen e ngjarjes. Fillimisht trupi i pajetë i Hykës është dërguar në morgun e spitalit të Bulqizës për ekspertizë mjekoligjore dhe më pas trupi u është dorëzuar familjarëve. Viktima nga fshati Sopot ishte baba i tre fëmijëve. Ai ishte larguar pak ditë më parë nga banesa, por vonesa e pazakontë kishte vënë në alarm familjen e tij, e cila i kërkoi ndihmë policisë e mediave. h.p

Elbasan, mbytet në pus 40-vjeçari
ELBASAN – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e së dielës në një fshat të largët të rrethit të Elbasanit. Një 40-vjeçar, babai i dy fëmijëve, ka humbur jetën aksidentalisht ndërsa po punonte për hapjen e një pusi për sigurimin e ujit të pijshëm në afërsi të banesës së tij. Mësohet se 40-vjeçari kishte rreth dy javë që kishte nisur të hapte pusin shumë pranë banesës së tij, të cilin e donte për të vaditur prodhimet e tij në oborrin e shtëpisë. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se ngjarja ndodhi në fshatin Trepsenisht të komunës së Treganit dhe viktima është Haki Bërdufi. Fatkeqësisht në një moment pakujdesie Bërdufi ka rrëshqitur duke rënë në thellësi të pusit, i cili kishte filluar të mbushej me ujë. Si pasojë e këtij aksidenti, 40 vjeçari, i dëmtuar mjaft rëndë, ka humbur jetën në thellësi të pusit, ku dyshohet se pas aksidentit ai është mbytur, duke humbur kështu jetën në mënyrë tepër tragjike.                h.p

© Panorama.al

Te lidhura