Bulqizë, eksploziv banesës së tregtarit të kromit

Oct 14, 2011 | 11:44

BULQIZË- Qyteti i Bulqizës është tronditur nga një shpërthim i fuqishëm mëngjesin e djeshëm rreth orës 01:30. Policia bëri të ditur se ngjarja ndodhi në banesën e shtetasit Adrian Duriçi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, por fatmirësisht pa viktima. Duriçi njihet në këtë qytet si tregtar kromi. Policia mbërriti  në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet, ndërkaq babai i Adrian Duriçit, Vebi Duriçi, deklaroi se autoritetet shtetërore, sidomos policia lokale, duhet të ketë dijeni për autorët e krimit. Ai akuzoi se efektivë të policisë mbajnë lidhje me autorët e shpallur në kërkim për ngjarjen e 5 janarit 2011, e cila ndodhi në qendër të Bulqizës nga ku mbeti i vrarë një person. Të gjitha dyshimet e familjes Duriçi lidhen me Ilir Jangullin, personin e shpallur në kërkim për vrasjen e ndodhur në fillim të këtij viti në sheshin “Minatori” të Bulqizës. Pjesëtarë të familjes Duriçi kanë pohuar për grupin hetimor se Jangulli është parë në qytetin e Bulqizës, ndërkohë që policia nuk ka kryer arrestimin e tij. Policia e Dibrës nuk ka dalë ende me një konkluzion zyrtar për ngjarjen, por në një njoftim paraprak të saj deklaroi se në qytetin e Bulqizës ka ndodhur një shpërthim dhe se objekt i sulmit ka qenë familja e Adrian Duriçit. Ndërkaq, nuk është sqaruar ende motivi i ngjarjes, nëse ajo lidhet me ngjarjen e 5 janarit apo tregtinë e kromit dhe konkurrencën për zona influence.                                                     h.p

© Panorama.al

Te lidhura