Bulqizë, banorët në panik nga tërmetet: 50 lëkundje

May 18, 2012 | 14:12

Plot 50 lëkundje tërmeti në katër ditë janë regjistruar në rrethin e Bulqizës, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima në njerëz dhe as dëme materiale. Sizmologët kanë sqaruar se këto lëkundje kanë qenë në përmasa të vogla, deri në 3.1 ballë dhe fuqia e tyre është regjistruar deri në 7 km thellësi. Shqetësimi kryesor lidhet me rreziqet që lëkundjet e tërmetit mund të sjellin në minierat e kromit. Banorë të zonave ku këto lëkundje janë ndjerë më shumë janë detyruar në raste të caktuara të dalin nga shtëpitë e tyre. Frika dhe paniku ka përfshirë banorët e këtij rrethi, ndërkohë që nuk ka ende të dhëna nëse këto lëkundje do të shtohen apo do të ndërpriten. Specialistë të minierave dhe drejtues të pushtetit lokal kanë kërkuar që të kryhen studime në lidhje me këto lëkundje dhe të marren masa për të parandaluar rrezikun që u kanoset bulqizakëve. Teksa bisedojmë në linjë telefonike me Kadri Dishëm, banor i Bulqizës, për ta pyetur rreth lëkundjeve të vazhdueshme të tërmetit në këtë rreth, ai thotë: “Ja edhe tani ka lëkundje”. Ai shprehet se nëse në qytetin e Bulqizës lëkundjet kanë qenë më të pakta dhe me intensitet më të vogël, në zonat e tjera të rrethit, madje edhe në Dibër, ato janë më të shumta. “Në media nuk është dhënë asnjë informacion, paçka se lëkundjet e tërmetit vazhdojnë prej disa ditësh. Kjo na shqetëson të gjithëve. Shteti i ka të gjitha mundësitë të na informojë çfarë po ngjet”, pohon Disha për “Panoramën”. Sipas tij, të gjithë flenë me frikë e ankth. “Në qytet, – vijon Disha, – nuk ka pasur shumë panik, ndërkohë në fshatra, sidomos ato të dëmtuar nga tërmeti i fundit, kryefamiljarët dhe të rriturit flenë me turne, pasi nga mesnata e deri në mëngjes mund të ketë 7-8 lëkundje në natë. Është e tmerrshme të dallosh si tunden orenditë dhe gjithë shtëpi. Ka raste kur banorët janë të detyruar të dalin nga banesa për shkak të frikës së ajo mund të shembet”, deklaron njëri nga banorët që përjeton këtë situatë të pazakontë në Bulqizë. Kadri Disha thotë se shpreh edhe mendimin e bashkëqytetarëve të tij kur thotë se janë të shqetësuar nga mungesa e informacionit. “Shteti ka struktura të posaçme që paguhen për të matur tërmetet. Këtu ka pesë ditë që tërmetet vazhdojnë njëri pas tjetrit dhe askush nuk informon. Duket paradoksale kjo heshtje. Dhëntë Zoti e nuk ka tërmete me fuqi më të madhe, ndryshe na piu e zeza”, shprehet i shqetësuar ky banor.

BULQIZE/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura