Dhëmbi i këngëtarit të “Beatles”, Xhon Lenon, pritet të dalë së shpejti në ankandin që do të mbahet më 5 nëntor, me një vlerë prej 16 mijë dollarësh. Karen Ferveder, nga shtëpia e ankandit “Omega”, ka deklaruar për BBC-në se “Kjo është gjëja më e mrekullueshme që ne kemi ofruar për të shitur. Ky është me të vërtetë një rast unik dhe është e vështirë për të përcaktuar çmimin real të dhëmbit”. Historia e dhëmbit të Lenon nisi kur ai ia dha atë një ndihmëseje, e cila ishte përkujdesur për shtëpinë e tij në Angli, në fund të viteve ‘60. Lenon i kish thënë ndihmëses se mund ta mbante dhëmbin e tij, pasi kishte dëgjuar se vajza e saj ishte adhuruese e madhe e “Beatles”-ave.











