Brenda këtij viti do të përfundojnë punimet për përforcimin e argjinaturave përgjatë lumenjve Drin dhe Bunë. Janë 10 milionë euro të dhëna nga qeveria shqiptare për fazën e parë të këtij projekti, i cili do të zgjerohet më tej. Gjatë një takimi me homologët e tij të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit për administrimin e ujërave të Drinit. Ai theksoi se do të merren masa që përmbytjet në Shkodër të parandalohen. “Përmbytjet e vitit 2010 në zonën përreth liqenit të Shkodrës dhe lumin Buna mbuluan me ujë për një kohë të gjatë mbi 15 mijë hektarë, duke shkaktuar dëme në banesa, blegtori, aktivitete ekonomike dhe bujqësore. Po ashtu, bashkëpunimi ka qenë i dobishëm edhe me Bankën Botërore, e cila, në kuadër të fondeve prej 1 milion dollarësh ka filluar financimin e disa projekteve të zbatimit të fazës emergjente dhe asaj afatgjatë, siç është rehabilitimi i argjinaturave, kolektorit të shkarkimit të ujërave, planet e evakuimit për zonën e Nën-Shkodrës”, tha Mediu. Ai shtoi se financime të konsiderueshme nga buxheti i shtetit janë alokuar për financimin e projekteve përmirësuese në këtë zonë. “Në plan bilateral jemi të kënaqur nga bashkëpunimi konstruktiv dhe intensiv me Malin e Zi, bashkëpunim ky i institucionalizuar me anë të një memorandumi mirëkuptimi. Projekte përkatëse janë prezantuar dhe diskutuar në komisionet e përbashkëta të ngritura nga të dy qeveritë, e Shqipërisë dhe të Malit të Zi”, tha Mediu. Përfaqësuesi i Komisionit të Europës, Marco Keiner, tha se marrja e këtyre masave janë një domosdoshmëri për përmirësimin e jetesës së këtyre banorëve. “Drini është shumë ‘zemërgjerë’, sepse na jep energji, por mund të shndërrohet në rrezik në periudhat kur ka shumë shira. Përmbytjet në Shkodër gjatë këtyre dy viteve kanë ndikuar në ekonominë e vendit. Ju ndani sfida të përbashkëta për menaxhimin e ujërave dhe koordinimi juaj mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemit. Në këtë kontekst, takimi i sotëm është një hap përpara drejt kësaj. Kemi besim se shumë shpejt direktiva e BE-së për menaxhimin e ujit do të zbatohet në legjislacionin shqiptar, por nevojitet edhe zbatimi i politikave në terren”, është shprehur Keiner.











