
Autorët kanë grabitur rreth orës 03:00 të së premtes rreth 2.5 kilometra kabllo elektrike, në 6 kampata, të tensionit të lartë 35 kilovolt, në pjesën mbi Ujin e Ftohtë. Kjo linjë jo vetëm ka ndërprerë furnizimin me energji, por edhe me ujë, pasi nuk furnizohet stacioni i pompave të ujit. Pasi kanë vepruar me shpejtësi autorët kanë arritur të largohen pa u ndaluar nga policia, e cila ka lajmëruar përgjegjësit e CEZ për të riparuar linjën. Deri mbrëmjen e djeshme nuk është arritur riparimi i defektit, duke shkaktuar pakënaqësi dhe reagime nga ana e pushuesve dhe bizneseve që veprojnë në këtë zonë. Sipas tyre, pavarësisht çfarë ka ndodhur, duhet të kthehet sa më shpejt energjia dhe uji i pijshëm, duke u ankuar për vonesën në zëvendësimin e linjës së dëmtuar. “Ne duam të furnizohemi me energji dhe ujë të pijshëm 24 orë pa ndërprerje, sepse ndërprerja shkakton pakënaqësi dhe probleme te bizneset dhe pushuesit. Ata as dush nuk mund të bëjnë, dush pas daljes nga deti, sepse nuk ka ujë dhe drita”. Paraprakisht pronarët e hoteleve dhe bizneseve përgjatë vijës bregdetare kanë marrë masa për furnizimin me anë të gjeneratorëve deri në shtrirjen e rrjetit dhe riparimin e defektit.
“Edhe pse ka një kosto shumë të madhe furnizimi me gjeneratorë elektrikë i hoteleve dhe bizneseve përgjatë zonës turistike, ne jemi të detyruar ta bëjmë këtë. Nuk duam që të na largohen pushuesit kur sapo ka nisur të kemi pak punë”, shprehen pronarë të bizneseve. Nga ana e tyre përfaqësuesit e CEZ thonë se po punojnë për të kthyer sa më shpejt energjinë, por për shkak se dëmi është i konsiderueshëm, po krijohen dhe këto vonesa. Pas konstatimit të vjedhjes së kabllos elektrike, CEZ ka bërë në Polici denoncimin për vjedhjen. Policia po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Është e disata herë që vidhen kabllot elektrike, ku rasti paraardhës ishte i vjedhjes së 3 km në zonën turistike të Zvërnecit, pak para sezonit turistik.
VLORE/ QEMAL BIRAKU











