Bregasi: Politika mban peng biznesin

Oct 1, 2011 | 12:33
Presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi

Biznesi në vend është peng i situatës politike, i problemeve të pronës, i zbatimit të lirive ekonomike dhe luftës gjysmake kundër korrupsionit. Presidenti i “BiznesAlbania”, Luan Bregasi, në fjalën e tij në takimin e bordit drejtues të organizatës cilësoi këto pika si shkak i vështirësive që has biznesi sot. I ftuar në takimin e bordit ishte edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Euren Wollfarth.
Problemet e biznesit
Presidenti i “Biznes Albania” në fjalën e tij vlerësoi se impakti që patën ngjarjet e 21-janarit për biznesin ishte padyshim negativ, dhe në këtë pikë përgjegjëse është vetëm klasa politike. Një tjetër pikë që shihet si problem nga “Biznes Albania” ishte ajo për Gjykatën Administrative, dhe mosngritja e kësaj të fundit sërish i atribuohet mosmarrëveshjeve politike. “Po të ishin marrë vesh me njëri-tjetrin klasa politike, do të ishte miratuar ligji për krijimin e Gjykatës Administrative, për pasojë, mjaft probleme që ka biznesi do të ishin zgjidhur më shpejt dhe nuk do të prisnim 3-4 vjet për të zgjidhur çështje administrative në dyert e gjykatave tona”, tha Bregasi. Ai kritikoi ligjin e amnistisë fiskale i cili, sikurse e kanë treguar dhe shifrat e Tatimeve dhe Doganave, nuk ka dhënë impaktin e duhur te biznesi dhe dëshira e tij për të vetëdeklaruar. Këtë reagim të biznesit karshi amnistisë, Bregasi e konsideron si të drejtë, pasi amnistia nuk ishte e plotë. Pavarësisht reformave të ndërmarra nga qeveria për të nxitur punësimin, investimet apo politika fiskale e ndjekur, ku janë ulur një sërë taksash, sërish “Biznes Albania”  vlerëson se ka probleme kyçe për biznesin sot. “Ne duhet të pranojmë se biznesi ndeshet me mjaft vështirësi, të cilat në mënyrë të përmbledhur, kanë lidhje me moszgjidhjen e çështjes së pronës, mangësive në zbatimin e lirive ekonomike për bizneset dhe sipërmarrjet e tyre, mangësia në luftën kundër korrupsionit. Problemi i pronës, i cili ka lidhje me mjaft projekte dhe iniciativa të sipërmarrjes private, me mënyrën si është trajtuar deri sot, ka krijuar mjaft vështirësi në realizimin e projekteve të biznesit shqiptar. Ligji për pronën ka bërë sorollatjen e vet disa herë nga Parlamenti në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata e rrëzon dhe Parlamenti e dërgon prapë” tha Bregasi në fjalën e tij. Edhe problematika e hipotekave është sjellë në vëmendje nga presidenti i “Biznes Albania”, duke mbështetur kështu nismën e kryebashkiakut të Tiranës, Lulëzim Bashës. Gjej rastin të mbështesim projektin e kryebashkiakut të Tiranës për hipotekimin e pallateve, dhe ndërkohë ftojmë hipot-ekën që të bëhet pjesë e tij dhe të ndihmojë në zbatimin e këtij projekti të madh me vlera sociale dhe ekonomike”, tha Bregasi.
Bordi
Përfaqësuesit e bordit drejtues të “Biznes Albania” kanë gjetur dje mundësinë të ngrenë një sërë shqetësimesh që i përkisnin sektorëve të tyre, në mënyrë që të kërkohet zgjidhje pranë instancave përkatëse. Kështu, mes të tjerave, ka qenë Shoqata e Ndërtuesve e cila u shpreh për një rishikim të ligjit të prokurimeve publike i cili, sipas Luigj Aleksit, lë hapësira për korrupsion. Sakaq, një ndër eksportueset kryesore të fasonëve në vend, Donika Mici, kërkoi që të ngrihet zëri që Shqipëria të marrë kuotacionin e saj për produktet “Made in Albania”. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është ngritur si problem nga operatorët turistikë, ku përfaqësuesi Zak Topuzi vlerësoi se Shqipëria ka TVSH-në më të lartë sesa rajoni dhe kjo e pengon këtë sektor të jetë kompetitiv. Sipas tij, TVSH-ja duhet të rishikohet për këtë sektor, pasi nuk mjafton vetëm ndërtimi i infrastrukturës. Në fund, presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, premtoi se për secilën nga shqetësimet e ngritura do të fillojnë negocimet me ministritë përkatëse dhe me institucione të tjera të përfshira, për t’i krijuar biznesit facilitetet e nevojshme.

Kerkesat e biznesit
Luigj Aleksi/Shoqata e Ndërtuesve:
Unë do të shtroj vetëm tre probleme shumë shkurt. Mendoj se detyra kryesore për “Biznes Albania” është që ne me çdo kusht duhet të jemi pjesë në dëgjimin dhe formulimin e ligjeve që kanë të bëjnë me ekonominë. Çdo lloj dëgjimi dhe çdo lloj vërejtje që bëjmë pasi ligjet janë miratuar, janë të pavlera. E dyta, për shoqatën që përfaqësoj që është Shoqata e Ndërtuesve, problemi kryesor është hipotekimi. Ne e vlerësojmë dhe e përkrahim memorandumin. E fundit fare është ligji i prokurimit publik. Për ne ligji duhet të rishikohet patjetër, sidomos udhëzimet e tij. Mund të themi se ky ligj në formën që është sot, lë më shumë hapësira për korrupsion sesa i pari.
Donika Mici/Fasonistët: Para disa ditësh, është diskutuar rreth origjinës me vendet e BE-së. Në diskutime, sidomos Kroacia, dhe në mënyrë më drastike Shqipëria, për të rishikuar dhe për të marrë origjinën “Made in Albania”. Nëse Shqipëria nuk do të ketë një origjinë, nuk do të jetë më kompetitive në treg dhe nuk do të ketë më hapësira në treg, nuk do të ketë më vendin e një eksportuesi në treg dhe nuk do të ketë absolutisht një vend që të tërheqë investitorët e huaj. Kjo është një nga pikat ku duhet ngulmuar fort, dhe që qeveria shqiptare të bëjë të pamundurën që shteti shqiptar të ketë kuotacionin e vet në Europë dhe masat e veta për të  mbrojtur produktin “Made in Albania”.
Vincenzo Pastoressa/Dhoma e Tregtisë e Italisë: Lidhur me energjinë elektrike. Sot, marrëdhëniet mes atij që e shet dhe biznesit i rregullon një kontratë që është bërë 20 vjet më parë. Kjo nuk parashikon zhdëmtim të dëmeve në rast të ndërprerjes së energjisë, ka dhe të tjera kushte shqetësuese. Mendoj se ndërhyrja e institucioneve me bashkëpunimin e gjithë biznesit duhet të shkojë në këtë drejtim. Të kërkojë të rregullojë më mirë kostot e distribucionit të energjisë, duke evituar situatën e monopolit në mënyrë që ta bëjë më kompetitive tregtinë në Europë.
Zak Topuzi/Shoqata e  Turizmit: Është e vërtetë që për biznesin e turizmit është bërë mjaft, përmirësime rrugore dhe infrastrukturë apo dhe të tjera, por e rëndësishme është që në Shqipëri të ketë politika fiskale për turizmin, të cilat për momentin janë minimale. Çdo vend i Europës për turizmin TVSH-në e ka maksimumi deri në 10 për qind, pra mesatarja.
Ilirian Mataj/Shoqata e Transportuesve Ndërkombëtare: Kam dy probleme shumë shkurt që do të kërkoj dhe ndihmën e “Biznes Albania”. Aktualisht ka gati tri javë që 500-600 kamionë shqiptarë nuk mund të shkojnë në Itali për shkak të mungesave të lejeve të kalimit. Problemi i dytë ka të bëjë me taksat që paguajnë kamionistët shqiptarë. Çdo kamion shqiptar që futet në Itali për çdo ton ngarkesë, paguan 6.3 euro për ton. Kjo taksë nuk e paguan asnjë kamionist i shteteve të Europës, e paguajnë kamionët që vijnë nga Sirira, Libia e vende të tilla.
Sherif Bundo/Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve: E mbështes pa asnjë rezervë shqetësimin lidhur me zvarritjen dhe mosfunksionin politik që e ka lënë biznesin të hiqet zvarrë nëpër rrugët e administratës tatimore dhe gjykata. Bizneset humbasin kohë e energji kapitale, duke u zvarritur në dyert e gjykatave, duke u gjykuar nga jokopetetë për konflikte që lindin natyrshëm për shkak të veprimtarisë tregtare. Së dyti, duhet të vendosim në axhendën e veprimeve tona një axhendë partneriteti me bankat tregtare. Është e domosdoshme që të instalojmë një frymë më të lartë bashkëpunimi.

Vollfarth: Votoni Gjykatën Administrative
Lufta ndaj korrupsionit dhe rritja e transparencës në secilën nga procedurat administrative, kanë qenë fokusi i fjalës së ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri, Eugen Vollfarth në mbledhjen e bordit të “Biznes Albania”. Lidhur me zhvillimin e biznesit, ekonomisë dhe hapave drejt integrimit në BE, ambasadori i OSBE-së vuri theksin te standardet. Është e rëndësishme të punohet duke respektuar ligjet dhe standardet, duke përmirësuar situatën kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës. Është e rëndësishme të kemi një situatë që të gjithë të jenë fitues”, tha Vollfarth. Sakaq, ai theksoi se është nevojshme që të ngrihet Gjykata Administrative. “Ndërsa integrimi në BE është një nga qëllimet kyçe të Shqipërisë, është e rëndësishme që të zgjidhet çështja e Gjykatës për çështjet administrative. Jam i sigurt që ju në “Biznes Albania” do të merrni hapat e nevojshëm të mëtejshëm për zhvillimin e biznesit” theksoi ambasadori, duke e mbyllur fjalën e tij me thirrjen për më shumë bashkëpunim mes palëve.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura