
Sekretari për Çështjet Ligjore në LSI, juristi i njohur Spartak Braho, shprehet se Prokuroria e mashtroi Kuvendin me kërkesën e pabazuar për hetimin e Ilir Metës. Sipas tij, eksperti amerikan që analizoi videon rrëzon pretendimet e Prokurorisë duke i cilësuar ato të pabazuara në fakte dhe prova shkencore. Qëllimi i Prokurorisë, sipas Brahos, ishte mediatizimi si sukses i luftës kundër korrupsionit që ajo po bënte “Casusin Meta”. Juristi i LSI-së shprehet se vetë hetimi gjyqësor i zhvilluar në Gjykatën e Lartë e detyroi Prokurorinë të tërhiqte pjesën më të madhe të akuzave të ngritura deri në atë moment. Braho shprehet se angazhimi i tij në mbrojtje të politikanëve të majtë nuk nis me Metën, por me figura të tilla si Fatos Nano, Gramoz Ruçi, Rexhep Mejdani, Zabit Brokaj apo dhe Fatmir Kumbaro në vitet ‘92-’97.
Pak ditë më parë, në një intervistë televizive, Kryeministri Berisha u shpreh se Prokuroria ka mashtruar Kuvendin në rastin e çështjes së hetimit të Ilir Metës. Cili është opinioni juaj për këtë deklaratë si avokat i kreut të LSI-së?
Ju e dini se ngjarjeve të 21 janarit të vitit të kaluar i parapriu një ngjarje mediatike më 11 janar, e cila qe një sajesë televizive e emisionit “Fiks Fare” me ndihmën e Dritan Priftit e disa personave të tjerë që ishin pas tij në hije, që vuri në lëvizje Prokurorinë. Pra, në thelb, kjo sajesë për të majisur opinionin dhe linçuar ligjërisht dhe politikisht Metën, ishte pjesë e një skenari që u konkretizua më tej kundër qeverisë së Berishës më 21 janar. Ajo që tha Kryeministri, i cili edhe ai ishte në fokusin e këtij skenari për Prokurorinë, ishte e saktë jo vetëm në sensin e propagandës, por edhe në sensin ligjor e procedural. Ky mashtrim dihej me kohë e duhej thënë edhe më parë. Dizinformimi i së vërtetës nga Prokuroria Kuvendit të Shqipërisë dhe kërkesa për t’i hequr imunitetin Metës në këtë rast ishin kriminale për nga qëllimi, shtrembërim i fakteve, shkelje e ligjit dhe interpretim i deformuar joreal i tyre. Kur them që ky mashtrim dihej që më parë, kam parasysh se ky qëndrim i Prokurorisë u denoncua nga ana jonë duke vënë në dijeni që para një viti Presidentin Topi, kryeprokuroren Ina Rama dhe kryetaren e Kuvendit, por nuk pati asnjë reagim. Madje as kur ata u vunë në dijeni se deputeti Ilir Meta po hetohej fshehurazi, madje edhe në kohën kur ishte me imunitet parlamentar, ndonëse vetë Meta hoqi dorë vullnetarisht nga imuniteti, duke iu “dorëzuar” Prokurorisë për t’u hetuar si dhe nga funksionet në organet shtetërore.
Ku qëndron realisht mashtrimi i Prokurorisë ndaj Kuvendit?
Tek të ashtuquajturat prova dhe argumente të paraqitura në kërkesë. Ato, së bashku me deklarimet shpifëse të Dritan Priftit në Prokurori, u paraqitën si indicio për të formuluar akuzën për korrupsion nga Meta. Unë do të përmend faktin se pafajësia e Metës u “vulos” realisht në të vërtetë brenda këtyre argumenteve, ku më kryesorët ishin përfundimet e ekspertit amerikan G. Bard, si dhe shqipërimet e oficerëve të Prokurorisë për të ashtuquajturën bisedë komprometuese Meta-Prifti. Eksperti amerikan që para gati një viti e njoftoi Prokurorinë e Përgjithshme se ai nuk gjeti as mjetin filmues, as filmimin origjinal të së ashtuquajturës bisedë Meta-Prifti, por vetëm një filmim tjetër ku shihej ish-ministri Prifti të ndante qindra-mijëra euro në shtëpinë e tij me zëvendësin e tij, ndërkohë që oficerët e Prokurorisë që dëgjuan dhe shqipëruan bisedën e transmetuar në emisionin “Top Story” pohonin në 6 raste se ajo ishte e padëgjueshme. Në këtë gjendje të mungesës së provave reale dhe serioze, Prokuroria kërkonte të hetonte Ilir Metën dhe të mediatizonte si sukses të luftës kundër korrupsionit që ajo po bënte “Casusin Meta”.
Gjykata e Lartë i mori parasysh konstatimet tuaja?
Në pjesën dërrmuese po, sepse shkeljet ishin kaq flagrante, sidomos në veprimet procedurale të hetimit, aq sa në një fazë ajo, pra Gjykata e Lartë, mund ta kishte pushuar këtë çështje vetëm për pavlefshmëri të akteve dhe procedurave të hetimit nga Prokuroria, por ne këmbëngulëm që çështja të hetohej gjerësisht në themelin e pseudo-akuzave që kishte ngritur Prokuroria. Një hetim objektiv, pa pasion politik dhe qëllime inkuizitive i Prokurorisë nuk do ta kishte devijuar në mënyrë skandaloze nga linja e ligjit këtë hetim, por do ta pushonte akuzën. Ishte vetëm hetimi gjyqësor në Gjykatën e Lartë që e detyroi Prokurorinë të tërheqë një pjesë të akuzave, ndërkohë që kalaja e tyre u rrëzua gjatë seancave nga vetë Gjykata e Lartë dhe ekspertët e thirrur prej saj.
Bazuar nga këto që thatë më lart, si e parashikoni vendimin që do të japë Gjykata e Lartë për kreun e LSI-së?
Në një prononcim që kam bërë në media, kam thënë me bindje se ky hetim nuk duhet të fillonte, por edhe në qoftë se filloi, vetë Prokuroria duhej ta pushonte me ndërgjegje të pastër, sepse çdo gjë ishte pjellë e fantazisë së një njeriu të deformuar në karakter, i cili u instrumentalizua dhe u përdor. Procesi gjyqësor i zhvilluar në dhjetëra seanca në Gjykatën e Lartë e vërtetoi këtë përfundim. Megjithatë, unë nuk dua të paragjykoj vendimin përfundimtar të Gjykatës së Lartë, pasi ai është një vendim i një organi suprem të drejtësisë, i cili duhet respektuar. Gjithsesi, në të ardhmen do të kemi rast që duke analizuar këtë proces të nxjerrim disa përfundime të rëndësishme jo vetëm për institucionet e drejtësisë, por edhe për politikën e standardeve të shëndosha që ajo duhet të respektojë.
Një pyetje që ka të bëjë me karrierën tuaj. Ju jeni bërë tashmë avokat i disi eksponentëve të majtë që për arsye të ndryshme janë vënë para drejtësisë…
E vërtetë është, së bashku edhe me kolegë të tjerë, kam qenë i angazhuar në mbrojtjen ndaj akuzave që u janë bërë Fatos Nanos, Gramoz Ruçit, Rexhep Meidanit, Zabit Brokajt në vitet ‘92-‘97, shto aty edhe Fatmir Kumbaron, që edhe ai u burgos. Por kjo nuk është një çështje që ka të bëjë me liderët e së majtës apo këdo qoftë. Si jurist unë jam pozicionuar për të mbrojtur e vënë në vend drejtësinë përballë padrejtësive, duke e zbuluar, goditur e demaskuar atë. Ky pozicion ka të bëjë me parimet e mia morale e profesionale, pasi, siç thotë populli, miku dhe shoku, sidomos kur janë në vështirësi, janë pasuria më e madhe, dhe jo paraja.
Ekspertët shqiptarë rrëzuan video-përgjimin
Prokuroria kërkoi dy vjet burg, vendimi për Metës, më 16 janar
TIRANE – Më 16 janar 2012, në orën 13:00, Gjykata e Lartë ka paralajmëruar se do të shpallë vendimin për ish-zv.kryeministrin Ilir Meta. Ai u dërgua i pandehur në Gjykatën e Lartë pas një hetimi të nisur në janar të vitit 2011 nga Prokuroria e Tiranës, e cila më pas e dorëzoi dosjen në Prokurorinë e Përgjithshme. Prokuroria kishte kryer një ekspertizë amerikane mbi video-përgjimin e Dritan Priftit, por Gjykata e Lartë e gjeti të parregullt ekspertizën e parë dhe e përsëriti atë me specialistë shqiptarë. Këta të fundit arritën në përfundimin se materiali kishte mundësi të mëdha ndërhyrjeje dhe gjykata nuk e njohu si provë regjistrimin në fjalë. Një javë më parë, Prokuroria e Përgjithshme, në konkluzionet e saj bazuar në dëshminë e Dritan Priftit, kërkoi dy vjet burg dhe një milion lekë gjobë për Ilir Metën. Avokatët, ndërkohë, kërkuan pafajësi dhe thanë se akuza nuk ka prova. Fjalën e fundit pritet ta thotë Gjykata e Lartë më 16 janar pas mesdite.
Kuvendi, të hënën testi i konsensusit PS-PD
Sesioni i ri parlamentar, pas vendimit të Gjykatës së Lartë
Ditën e hënën do të zhvillohet seanca e parë e Parlamentit për sesionin e ri të vitin 2012. Edhe pse krerët e PD-PS kanë deklaruar publikisht se do të zbatojnë marrëveshjen për miratimin e ligjeve me tre të pestat e votave, e hëna do të jetë një provë për rezistencën e paktit të arritur në nëntorin e vitit të shkuar, pas ndërmjetësimit të ndërkombëtarëve. Seanca e parë e Kuvendit pritet të shoqërohet me debate për kalendarin e punimeve, që është miratuar vetëm me votat e maxhorancës në Konferencën e Kryetarëve. Seanca e parë do të fillojë të hënën pasdite, në orën 17:00 dhe në rendin e saj është parashikuar miratimi i kalendarit të punimeve dhe programi i punës së Kuvendi. Pas çeljes së seancës, nga fjala e kryetares së Kuvendit, pritet që kjo mbledhje e parë të shoqërohet me debate për shkak të acarimit të toneve për ligjet me tre të pestat, që u reflektuan ditë më parë në Konferencën e Kryetarëve. Në mbledhjen e shkuar, kalendari i punimeve trijavore është miratuar pa konsensusin e palëve, pasi përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë kërkuar heqjen nga kalendari të Kodit Penal, Kodit Civil dhe Gjykatës Administrative. Por, përfaqësuesit e maxhorancës e kanë cilësuar këtë kërkesë si tentativë për të prishur paktin e arritur me shumë mund. Sipas kalendarit, që do t’i nënshtrohet votës së deputetëve në seancën e së hënës, Kodi Civil duhet të miratohet në fillim të shkurtit, Kodi Penal në fund të shkurtit dhe Gjykata Administrative në mars. Këto kode dhe Gjykata Administrative prej një kohë të gjatë ndodhen në “sirtarët” e Kuvendit, në pritje të kartonëve jeshil. Në kalendarin e punimeve është përfshirë dhe miratimi i një akti normativ, i propozuar nga qeveria për të shtyrë afatin e ligjit të “legalizimit të kapitalit dhe faljes së një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”. Një nismë e tillë është prezantuar nga Kryeministri Berisha, i cili theksoi se falja do të shtyhet deri në fund të muajit shkurt të vitit 2012, afati i kësaj faljeje fiskale përfundonte më 31 dhjetor. Sipas Kryeministrit, akti normativ vjen për shkak të fluksit të madh të kërkesave për hipotekimin e banesave në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Pjesë e nismave që priten të shoqërohen me debate do të jetë dhe projektligji për mediat.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al












