Braçe, Olldashit: Kostot për “Durrës-Kukës” u rritën qëllimisht

Oct 14, 2011 | 11:36
Erjon Braçe dhe Sokol Olldashi

Marrja në dorëzim e Rrugës së Kombit në një afat më të hershëm sesa përfundimi total i saj, i ka shkaktuar kosto kompanisë ndërtuese dhe, si rezultat, edhe buxhetit të shtetit që duhet të paguajë këto kosto. Ka qenë ky përfundimi në të cilin ka dalë deputeti Erion Braçe në fjalën e tij dje gjatë interpelancës së kërkuar me ministrin e Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi. Braçe ka paraqitur një seri korrespondencash mes institucioneve të ndryshme, ku detajohet shqetësimi për koston e lartë të Durrës-Kukës-Morinë, mes të tjerave, raportin e KLSH-së, kërkesat e Ministrisë së Financave për detajime kostosh apo dhe shqetësimin e Prokurorisë. Deputeti socialist theksoi se kostoja e rrugës është shumë herë më e lartë sesa e deklaron qeveria dhe, mbi të gjitha, edhe pse rruga është marrë në dorëzim në qershor të vitit 2009 dhe tuneli në tetor, për këtë rrugë vijon që të paguhen para nga buxheti. “Për dy vite me radhë, vitin 2010 dhe vitin 2011, nga buxheti i shtetit (buxheti i ndarë për Ministrinë e Transportit për investime), janë paguar 11 miliardë lekë nga totali prej 15.6 miliardë lekësh për ndërtim rrugësh dhe 9.6 miliardë lekë nga totali prej 14.5 miliardë lekësh për ndërtim rrugësh. Pra, në total, për 20 muaj janë paguar 20.6 miliardë lekë, apo mbi 200 milionë dollarë. Faktikisht, 66% e fondeve për ndërtim rrugësh të reja në dy vitet e fundit janë paguar për faturat e Rrëshen-Kalimash, kur rruga është vënë prej dy vitesh në shfrytëzim”, u shpreh Braçe. E gjitha kjo, sipas shpjegimit të deputetit socialist, bëhet pasi qeveria e mori në dorëzim rrugën më herët për synime elektorale, atëherë kur punimet ishin ende të papërfunduara dhe ku çdo kosto e shtuar për Bechtel-Enka pas përdorimit të rrugës do t’i shkonte buxhetit. Në total, deri tani, sipas Braçes, kjo rrugë ka kushtuar 1.4 miliardë dollarë nga 419 që ishte parashikimi fillestar. Por, Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, në fjalën e tij ka hedhur poshtë shifrat e deputetit socialist duke theksuar se rruga ka një kosto që është bërë publike prej kohësh dhe që vlerësohet 826 milionë euro. Për vlerën 419 milionë euro që përmend opozita lidhur me koston e rrugës, ai shpjegoi se ky vlerësim është bërë para fillimit të projektit. “Ajo shifra që ju i referoheni herë pas here, prej 419 milionë eurosh, nuk është shifër kontraktuale, është shifër target. Pra duhet të synojmë që rruga të jetë kaq, por ama, vlera e detajuar e projektit nuk mund të jetë në asnjë rrethanë përveçse nga projekti i detajuar dhe nuk ka asnjë mospërputhje midis vlerës në projektin e detajuar dhe asaj që ne kemi realizuar”, tha Olldashi. Ai u ndal edhe në një tjetër pikë që lidhet me kostot shtesë të rrugës pas shembjes së tunelit, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës se ky problem i kushtoi buxhetit 30 milionë euro. Sipas Olldashit, riparimet që u bënë në 50 metra linearë të tunelit kërkuan vetëm 2.5 milionë dollarë.

826 milione euro
vlerësohet se është kostoja totale për rrugën Durrës-Kukës. Kjo rrugë u nda në tre lote ndërtimi; Rrëshen-Rreps, Rreps-Thirrë, tuneli i Thirës dhe Thirrë-Kalimash. Rruga u mor në dorëzim në qershor 2009, kurse tuneli në tetor 2009

1.4 miliarde usd
vlerëson opozita se është në total kostoja për rrugën Rrëshen-Kalimash-Kukës-Morinë. Kjo kosto është më shumë se 11% e PBB për 2010-n. Sipas opozitës, qeveria ka vijuar të paguajë për këtë rrugë edhe dy vitet e fundit

© Panorama.al

Te lidhura