Deputeti socialist, Erjon Braçe, më aktivi në rrjetin social “Facebook”, duke hedhur tema dhe problematika për diskutim të gjerë me miqtë e tij, dje u shpreh kundër propozimeve të kolegut Kastriot Islami. Islami, në gazetën “Panorama”, përmes një analize, dilte në konkluzionin se që PS të vijë në pushtet duhet të bashkëpunojë në koalicion me LSI-në dhe të ftojë në këtë koalicion të gjithë të larguarit e saj, që nga themeluesit e deri tek aleatët e saj tradicionalë. Braçe e cilëson këtë bashkëpunim të pamundur sepse e quan bashkëpunim me koalicionin e korrupsionit, ndërsa Islami, sipas tij, ka kohë që nuk militon në këtë parti. “Ja! Boshti i ri socialist: të rikthehen themeluesit; të rindërtohet e majta me bosht PS-LSI! Pyetje: Po Lavitola ç’pjesë e boshtit duhet të jetë? Zotnia që e ka thënë këtë sot ka kohë, vite që nuk militon në PS! Endet sa andej-këndej! PS është shumë e qartë: bashkëpunim me çdo socialist e më tej me çdo shqiptar për ta ndryshuar këtë vend! Koalicioni i Korrupsionit nuk është zgjidhje, pavarësisht se si ndryshojnë përbërësit!”, shprehet Braçe në faqen e tij në Facebook. Në përgjigje të komenteve që bëjnë miqtë e tij, deputeti socialist shprehet se ardhja në pushtet nuk duhet të jetë llogari numrash, por luftë kundër korrupsionit. “Unë nuk e dua pushtetin si llogari e ndyrë numrash! Kjo llogari nuk ka moral dhe, mbi të gjitha, garanton gjithsecilin se korrupsioni që po i zhvat të gjithë nuk do të luftohet, por do të trashëgohet”, u shpreh Braçe në komentet e tij.











