Nga Ngjela tek Agolli, Maliqi, Balla e Fevziu i kanë besuar veprat e tyre “Scripta manent”
“Verba volant, scripta manent”. Shprehja e lashtë latine, e cila i jep një fuqi të patjetërsueshme në kohëra fjalës së shkruar, ishte e para që u shkreptiu ndër mend njerëzve që po mendonin seriozisht për të sjellë në jetë një shtëpi botuese. Dhe deri më tash, me botimet që u kanë dhënë lexuesve, ata shpresojnë që fjalën fluturake ta kenë bërë të qëndrueshme, të rëndë. Jo vetëm libra artistikë, por edhe studimorë e memuaristikë. Pikërisht me shprehjen “Scripta manent” UET Press ka pagëzuar kolanën e librave-dëshmi të 20 viteve të fundit, që kanë për autorë, pikërisht personazhe aktivë të zhvillimeve të mëdha të ndodhura gjatë këtyre viteve. Pas botimit të veprave të studiuesve apo gazetarëve në zë, si: Sabri Hamiti, Preç Zogaj, Blendi Fevziu, Sokol Balla etj., UET Press nisi një sezon të ri botimesh. Brenda një periudhe fare të shkurtër, ka sjellë për lexuesin pesë libra të rinj, të cilët nuk kanë qenë thjesht një titull më shumë, por kanë tërhequr gjithë vëmendjen mediatike dhe pa dyshim të lexuesit. I pari që do të çelte këtë sezon ishte avokati Spartak Ngjela, i cili erdhi me një libër sa autobiografik, të mbushur me detaje dhe kujtime intime, aq edhe analizë e ftohtë e politikës e regjimit të kohës. I titulluar “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010”. Ky libër erdhi si një histori e përjetuar në kohë tiranie dhe e sjellë për publikun e gjerë më 23 shtator. Ditëlindja e 80-të e poetit të shquar shqiptar, Dritëro Agolli, do të ishte një tjetër rast që do të mblidhte bashkë në hollin e Universitetit Europian të Tiranës, njerëz të letrave, studiues e akademikë për promovimin e librit “Kam penën e mprehtë dhe mendjen e kthjellët”, një përmbledhje me 50 vjet intervista, mendime, polemika, ese, të njeriut që ka lënë gjurmë në historinë e zhvillimit të Shqipërisë. I treti promovim këtë vjeshtë do të ishte libri-intervistë i dy kolegëve: Shkëlzen Maliqi dhe Baton Haxhiu, një dëshmi mbi zhvillimet e Kosovës nga vitet ’60 deri më sot. Problematikat dhe sfidat e mëdha të lirisë së shtypit, ishin çështjet që gazetari Sokol Balla i solli në librin e tij më të ri “Fjala e lirë-Sfidë europiane”. Një tjetër libër, i cili do të mbledhë shumë komente dhe reagime rreth vetes, është ai i gazetarit Blendi Fevziu. Bëhet fjalë për biografinë “Enver Hoxha”, e cila në 400 faqe sjell gjithë jetën e ish-diktatorit komunist, që nga rinia e tij deri në vdekje, në prill të vitit 1985.
Ngjela, kujtime në kohë tiranie
Me një kujtesë për t’u pasur zili, avokat Spartak Ngjela na sjell në një vëllim voluminoz një pjesë të kujtimeve të tij. “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010”, një libër që mund të lexohet nga të gjithë. Nga ata që e jetuan atë kohë, por edhe për ata që e kanë vetëm me të dëgjuar. Si një personazh aktiv i të dyja kohëve, para dhe pas rënies së diktaturës, Ngjela ka shumë për të treguar. Ky vëllim i parë rrëfen kujtimet e përjetuara nga vetë Ngjela dhe analizën që ai i bën periudhë prej 30 vjetësh, nga 1953-1975. Në librin e tij rrëfehet për “komunistë, ballistë, legalistë, sigurimsa, spiunë burgjesh e trotuaresh, të pushkatuar, mendimtarë, njerëz të shquar që nuk u dihet emri sepse kanë vdekur në izolim, jetë njerëzore të shuara për të vetmin faj se nuk kanë dashur regjimin komunist në Shqipëri. Pastaj ministra, gjeneralë e politikanë të lartë të regjimit komunist që kishin luftuar dhe kishin instaluar diktaturën më të egër në botë, e mandej, po ata vetë, viktima nëpër burgje…” Por historia nuk mbyllet këtu, Ngjela ka në duar vëllimin e dytë me ngjarje nga 1976-2010.
Dritëro Agolli, një jetë në intervista
Një përmbledhje e 50 viteve histori të Dritëro Agollit mbi veprimtarinë e gjatë letrare, sociale dhe politike të shkrimtarit nga viti 1964 deri në ditët tona. “Kam penën e mprehtë dhe mendjen e kthjellët”- intervista, komente, bashkëbisedime, letërkëmbime me personalitete të njohura brenda apo jashtë, janë ato çka lexuesit do të gjejnë në faqet e këtij libri, të botuar nga UET Press si dhuratë për ditëlindjen e 80-të të poetit. Në 285 faqet e librit, i cili lindi si shenjë mirënjohjeje nga UET, pasi shkrimtarit iu akordua titulli “Honoris Causa”, përshkruhet një jetë e tërë, nga rinia deri në thinjje. “Ne shpeshherë, si njerëz, i kundërshtojmë vetvetes, hahemi me vetveten tonë, përpjekim në vetvete mendimet për të gjetur të vërtetën dhe thinjemi…”, thotë Dritëroi.
Shkëlzen Maliqi rrëfen Kosovën
Bisedat e kafeve, darkave, bashkëpunimeve mes tij dhe gazetarit Baton Haxhiu, ku shpjegohet çështja e Kosovës në kuadrin e Jugosllavisë para dhe pas shkatërrimit të saj si çështje shumë e komplikuar, larg folklorizmit dhe patetizmit patriotik, vijnë në një libër-intervistë. Filozofi dhe gazetari Shkëlzen Maliqi rrëfen jetën e tij nga vitet ‘60 si student në Beograd deri në zhvillimet e vona në Kosovë. Ky rrëfim është një analizë e hollë e ngjarjeve të rëndësishme nëpër të cilat kaloi Kosova, veçanërisht pas qeverisjes së Titos, ndër ato vite kur nacionalizmi serb nisi të ravijëzohej nëpër Jugosllavi. “Ajo që do u mbetet në mendje atyre që e lexojnë librin, nuk është as lufta e UÇK-së, nuk është as ajo që quhet rezistenca paqësore në vitet ’90, është dialogu, beteja intelektuale që Shkëlzen Maliqi dhe një pjesë e intelektualëve e ka pasur me intelektualët jugosllavë”, do të shprehej autori i librit, Baton Haxhiu.
Sokol Balla, përballë sfidave të fjalës së lirë
Diplomatë e kolegë morën pjesë pak ditë më parë në prezantimin e librit më të ri të gazetarit Sokol Balla, “Fjala e lirë, sfidë europiane”. Një libër që tregon për problemet me të cilat përballet media sot, raportet mes gazetarëve dhe botuesve, raportet me politikën etj. Në libër ai ka përfshirë një anketim me mbi 150 gazetarë shqiptarë dhe shqetësimet e shprehura nga ata janë shumë herë më të forta se ato të njëzet viteve më parë. Një nga problemet që Balla evidenton fort, është vendosja e një raporti të drejtë të gazetarëve me pronarët e mediave, sidomos në kohën kur raporti i fundit i BE-së për median ishte më kritik se herët e tjera dhe shikonte një përkeqësim të lehtë në raport me vitet e mëparshme.
Fevziu: Enver Hoxha si nuk e keni parë
Iu desh një punë e gjatë kërkimore në arkiva personalë dhe në rrëfimet e atyre që e njohën, për të arritur në botimin e biografisë, për të cilën do të flitet për një kohë të gjatë. “Enver Hoxha” titullohet biografia e shkruar nga Blendi Fevziu për ish-diktatorin shqiptar. Rrëfime dhe dokumente të papublikuara më parë, të pasuruara me letra, faksimile dhe fotografi të shkëputura nga filmimet e arkivit të personal të familjes Hoxha. Libri mbi diktatorin sjell anën e panjohur të Hoxhës që shkonte kundër imazhit të ndërtuar me mundim nga propaganda komuniste për një udhëheqës babaxhan. Filmime befasuese të mbledhjeve të KQ dhe Byrosë Politike që zbulojnë të panjohurat e “shokut Enver”. Nga rinia e hershme në Gjirokastër, tek studimet në Korçë, Francë, si hyri në politikë dhe si u bë një nga diktatorët më të egër të Lindjes.











