Ka ndodhur ajo që të gjithë i trembeshin. Goglat e “play off”-it të “Euro 2012”-s kanë qenë të pamëshirshme për Bosnjën- Hercegovinën, e cila ka peshkuar Portugalinë e Kristiano Ronaldos. Finalistët e “Euro 2004”, përballë skuadrës ballkanase, që për pak e siguroi biletën e kualifikimit direkt për në fazën finale në Poloni dhe Ukrainë. Fati nuk është edhe një herë tjetër me Xheko dhe shokë. Një penallti e paqenë në ndeshjen e fundit me Francën mjaftoi për “gjelat” që të siguronin direkt finalet. Përsëritet i njëjti duel si në “play off”-in e Botërorit të fundit, ku luzitanët dolën fitues me rezultat të përgjithshëm 2-0. Skuadra e Bentos duhet të ishte kualifikuar direkt, por humbja e ndeshjes së fundit 2-1 me Danimarkën solli dhe rokadën në Grupin H. Portugezëve u duhej një barazim për të siguruar vendin e parë. Një tjetër duel i paparashikuar është ai mes Turqisë dhe Kroacisë. Këto dy kombëtare e njohin shumë mirë njëra-tjetrën, ashtu si Bosnja me Portugalinë. Do të jetë një tjetër sfidë e dyfishtë që përsëritet pas çerekfinales epike në “Euro 2008”-n në Vjenë, kur Kroacia kryesonte 1-0 në minutën e fundit të kohës shtesë, ndërsa turqit barazonin në aksionin e fundit. Turqia u tregua më e saktë nga pika e bardhë dhe avancoi në gjysmëfinale. Çeki-Mali i Zi është sfida e tretë. Janë me fat çekët që shmangin një mes Turqisë dhe Bosnjës. Sfida kundër këtyre ekipeve ballkanasve do të ishte një detyrë shumë herë më e vështirë për të dytën e Grupit I. Do të jetë historike për Malin e Zi, i cili nuk është kualifikuar kurrë më parë në një turne europian. Por çekët duhet të bëjnë kujdes, sepse malazezët kanë dalë të dytët në grupin e Anglisë, madje u kanë rrëmbyer 2 barazime “Tre Luanëve”. I vetmi që mund të buzëqeshë është Xhovani Trapatoni. Irlanda e tij peshkoi skuadrën më të lehtë në letër, Estoninë. Legjenda polake, Zibi Boniek, i bëri një dhuratë ish-trajnerit të tij në kohën kur luante te Juventusi. Këto kombëtare janë përballur vetëm dy herë në kualifikueset e Botërorit të 2002-it (fitoi Irlanda 2-0). Ndeshjet e para do të luhen më 11 dhe 12 nëntor, ndërsa ato të kthimit më 15 nëntor. 4 skuadrat fituese do t’u bashkohen ekipeve të kualifikuara direkt për të formuar 16-shen përfundimtare finaliste. Shorti për ndarjen e grupeve do të hidhet më 2 nëntor në Kiev.
Euro 2012/ Play off
11-12 nëntor
Turqi-Kroaci
Estoni-Irlandë
Çeki-Mali i Zi
Bosnjë-Portugali
Shënim: Më 15 nëntor, ndeshjet e kthimit











