Borxhi, FMN: Buxheti i ri i qeverisë, i rrezikshëm

Nov 12, 2011 | 10:34

Bell: Taksën e sheshtë bëjeni 15%, ulni shpenzimet sociale
Rezultati i kësaj taktike të re të Ministrisë së Financave për të qenë jashtë kornizave të zakonshme të FMN-së përmblidhet qartë në një fjali të Bell, ku buxhetin e këtij viti ai e quan me rreziqe të mëdha për borxhin publik. Por nuk mjafton me kaq, Bell tregon në intervistën e tij se nuk është dakord me asjnë nga parashikimet e qeverisë, as me rritjen e të ardhurave 8 për qind, as me rritjen e shpenzimeve. Sipas tij, qeveria po tregohet optimiste dhe rekomandon dy ndryshime themelore: të shkurtohen shpenzimet për “shërbimeve sociale apo publike”, thënë ndryshe, pensionet dhe ndihmat ekonomike; ose të shtojë taksën e sheshtë “nga 10 në 15 për qind”. Por nuk mbaron me kaq. Në intervistë, Bell e quan të papërshtatshme edhe politikën e financave për korrigjimin e buxheteve në mes të vitit, “nuk është mënyra e duhur për të planifikuar buxhetin dhe politikat fiskale”. Kritika edhe për Parlamentin dhe politikën. Mungesa e guvernatorit është e pafalshme për FMN-në, por më e zymtë është kërkesa që FMN-ja ka për guvernatorin e ri. Bell la të kuptohet se bordi dhe kreu i ri i FMN-së duhet të marrin një vendim të vështirë, si rritja e normës së interesit.
Si po ecën ekonomia shqiptare në kushtet e një kulmi të ri të krizës europiane?
Ka shqetësime të reja përditë. Deri tani ekonomia shqiptare nuk ka ecur keq dhe kjo është pjesë e fenomenit të ekonomive të reja, që gjatë vitit të kaluar kanë qenë më imune ndaj krizës se sa ekonomitë perëndimore më të përparuara. Por tani po hyjmë në një fazë të re, të rrezikshme në Europë. Sot, pamë se interesi për bonot e Italisë arriti 7 për qind. Këto janë kohë shumë të vështira në tregjet financiare të gërshetuara me ngadalësimin e ekonomive. Fondi Monetar llogarit tani një rrezik të madh për recesion teknik në më shumë se një ekonomi të madhe europiane. Kjo do të ketë pasoja për Shqipërinë patjetër dhe kjo do të ndodhë pavarësisht nga çfarë ka arritur Shqipëria ekonomikisht. Për t’u dhënë një shembull, nëse kthehemi tre muaj pas, ne parashikuam se rritja ekonomike për Shqipërinë do të ishte 2,5 për qind këtë vit dhe 3.5 për qind për 2012. Në bazë të zhvillimeve që po ndodhin tani, ne parashikojmë një rritje prej më pak se 2 për qind në 2011 dhe një deri në 1.5 për qind në 2012. Pra, këto janë efekte reale që po përcillen nga ekonomitë kryesore europiane tek ekonomitë e reja dhe partnerët e tyre tregtarë.
Qeveria shqiptare pretendon se rritja do të jetë 4.3 për qind. Ndërsa ju po e ulni edhe më tej parashikimin tuaj. A mendoni se qeveria nuk po përgatitet për skenarin më të keq dhe po shpreson për skenarin më të mirë?
Ka dy efekte të asaj që kanë bërë autoritetet shqiptare. Ne kemi parë një rënie të ndjeshme nga rritja ekonomike e lartë mes viteve 1999 deri në 2008-n. Pra, rritja 6 apo 7 për qind u bë e zakonshme. Gjatë viteve të fundit, kemi parë një rritje prej 3 apo 3.5 për qind. Qeveria shqiptare këmbëngul te 7-përqindëshi, por edhe nga kjo shifër në atë që pretendohet tani, për 4.3 për qind, prapë është një rënie e madhe. Fatkeqësisht, ata nuk po e ulin parashikimin aq sa ne e shohim. Kjo ka ardhur për shkak të parashikimeve për inflacionin që qeveria shqiptare mendon se do të jetë më i ulët sesa e parashikojmë ne. Por parashikimi për buxhetin është problem dhe e kemi parë këtë dy vitet e fundit, ku mosrealizimi i parashikimeve optimiste për të ardhurat bënë që buxheti të rishikohej, duke u ulur në mesin e vitit. Kjo nuk është mënyra e duhur për të planifikuar buxhetin dhe politikat fiskale.
Si mund ta mbushë Shqipëria hendekun e krijuar nga pakësimi i investimeve dhe rënia e të ardhurave nga emigrantët?
Shqipëria ka forca dhe ne i theksojmë ato -sistemi solid bankar, një sistem që ndryshe nga sistemet bankare europiane ende po jep kredi me një ritëm të lartë. Pra, shohim një rritje të shëndetshme të kreditit në Shqipëri, që nuk e shohim në shumë vende të tjera. Në vend ka besim te sistemi bankar dhe depozituesit janë të qetë të fusin paratë e tyre. Shohim disa pika të forta strukturore për një mjedis të favorshëm biznesi që jep nxitje për investimet e huaja direkte. Ne kemi shqetësime dhe i kemi theksuar. Ato kanë të bëjnë me borxhin publik. Buxheti që po diskutohet tani parashikon një rritje të shpenzimeve primare prej vetëm pak më shumë se 2 për qind dhe ky është një buxhet i vështirë, që do ta quaja ideal, në se borxhi publik do të ishte 30 apo 40 për qind e GDP-së. Por fatkeqësisht, borxhi publik është gati 60 për qind dhe në këtë mjedis, edhe ai buxhet shumë i vogël, ka rreziqe të mëdha.
Ju keni tërhequr vëmendjen te borxhi publik edhe më parë. Çfarë pasojash do të ketë shtyrja e këtij problemi në të ardhmen?
Nuk do të thosha se po e shtyjnë këtë problem. Ka dy elementë të përqasjes së qeverisë shqiptare ndaj borxhit. Një, është mbajtja nën kontroll e rritjes së shpenzimeve dhe këtë e kanë bërë. Tjetra është shpresa për një rritje më të mirë ekonomike. Por parashikimet tona kanë qenë të sakta gjatë tre viteve të fundit. Nëse parashikimet e tyre realizohen, do të bëjnë përparim për pakësimin e borxhit. Por pikëpamja jonë është se kjo është shumë e rrezikshme. Ne kemi rekomanduar shqyrtimin e të dy elementëve për uljen e borxhit, duhet të përmirësohen të ardhurat dhe të ulen shpenzimet. Mbajtja e shpenzimeve te 2-përqindëshi është një objektiv ambicioz, nëse nuk parashikon ndryshime strukturore, si pakësimi i shërbimeve sociale apo të shërbimeve publike. Në se nuk i bën këto, është pothuajse e pamundur të mbash shpenzimet te 2-përqindëshi. Nga ana tjetër, është e vërtetë se nëse rritja ekonomike do të jetë më e lartë edhe të ardhurat do të ishin më të larta. Në këtë buxhet, sipas mendimit tonë, është llogaritur një rritje prej 8 për qind të të ardhurave, që është sigurisht shumë optimiste. Një element tjetër që kemi rekomanduar është rritja e taksës së sheshtë nga 10 në 15 për qind, që është ende tërheqëse. Këto do të kërkonin ndryshime të politikave të tanishme që nuk ka të ngjarë se do të sjellin uljen e borxhit.
Ju përmendët sistemin bankar si një pikë të fuqishme në ekonominë shqiptare. Por në raportin tuaj thuhet se kreditë e këqija janë shtuar, duke arritur në 15 për qind. Sa të shqetësuar jeni ju nga kjo rritje?
Është një shqetësim i rëndësishëm dhe faktikisht shifra tani është gati 18 për qind. Ky është një nivel i lartë i kredive problematike në çdo sistem bankar. Autoritetet po e shohin tani këtë problem dhe po marrin masa. Detyra imediate është marrja e masave që bankat janë të mirëkapitalizuara për të përballuar humbjet nga kreditë e këqija. Një element tjetër i rëndësishëm është që bankat të kenë mbulesë likuiditeti për të përballuar tronditjet. Por ende është një sistem që jep kredi. Mund të ishte edhe më mirë, por duke ditur tronditjet që po ndjen ekonomia, krahasuar me sistemet e tjera bankare në rajon, Shqipëria ka ende një sistem të fuqishëm. Çfarë është e rëndësishme, është që autoritetet po e shohin këtë problem dhe po marrin masa.
Ka politikanë dhe analistë optimistë që thonë se Shqipëria mund ta shfrytëzojë krizën në Greqi dhe Itali për të tërhequr investime. A mendoni se Shqipëria i ka instrumentet e duhura për të bërë një gjë të tillë?
Krizat sjellin gjithmonë mundësi. Shqipëria e ka provuar veten si një ekonomi e shkathët që mund të shfrytëzojë rastet, si për shembull zhvillimi i energjisë hidrike, në përgjigje të shqetësimeve të Europës për uljen e emetimit të gazeve karbonikë, apo zhvillimi i shpejtë i industrisë tekstile dhe këpucëve, ndërsa prodhuesit aziatikë u bënë më të shtrenjtë. Por kriza është gjithashtu një element, që nëse je një vend i vogël dhe i varur, të merr me vete pavarësisht sesi vepron. Prandaj, ne si FMN po ndihmojmë ekonomitë e zhvilluara për të mos e përçuar këtë efekt te vendet të vogla si Shqipëria, pasi ky është një rrezik real.
Mandati i guvernatorit Fullani ka përfunduar më 28 tetor dhe Banka ende nuk ka një guvernator të mandatuar. Ju shqetëson kjo vonesë?
Para se t’i përgjigjem kësaj, është e rëndësishme të shohim institutin për të cilin po flasim. Banka e Shqipërisë duhet të jetë një institucion i pavarur nga politika dhe politikanët që t’i lejojë ata të marrin vendime të vështira, ndoshta jo popullore, si rritja e interesave apo kërkesa që bankat të kenë më shumë kapital. Ka kaluar më shumë se një javë, por guvernatori i Bankës është pa mandat. Kjo nuk është gjë e mirë, të kesh një institucion të pavarur që drejtohet nga njerëz që nuk kanë mandat. Nuk dua të komentoj për meritat e personit të zgjedhur, por është e rëndësishme që të zgjidhet një person i kualifikuar me një mandat të qartë. Sigurisht guvernatori Fullani është një njeri i kualifikuar dhe këtë e ka provuar, por dua të theksoj që të respektohet mandati i guvernatorit dhe bordit që ata të mund të marrin vendime, ndoshta politikisht të vështira. Në se institucioni varet vetëm nga një person, atëherë nuk është institucion. FMN-ja e sheh integritetin e këtij institucioni si shumë të rëndësishëm, si një tipar themelor të stabilitetit financiar dhe të politikave të qëndrueshme monetare. Ky është një element që Shqipëria e ka zhvilluar gjatë viteve, me sjellje profesionale dhe personel profesional dhe të pavarur nga politika. Është e rëndësishme që kjo të vazhdojë dhe të forcohet edhe më tej.

Kritikat e FMN

Për krizën botërore
Fondi Monetar llogarit tani një rrezik të madh për recesion teknik në më shumë se një ekonomi të madhe europiane. Kjo do të ketë pasoja për Shqipërinë patjetër, dhe kjo do të ndodhë pavarësisht nga çfarë ka arritur Shqipëria ekonomikisht.

Për buxhetin
Fatkeqësisht, qeveria nuk po e ul parashikimin aq sa ne e shohim.
Ndryshimi i buxhetit në mes të vitit “nuk është mënyra e duhur për të planifikuar buxhetin dhe politikat fiskale”.

Borxhi
Ne kemi shqetësime dhe i kemi theksuar. Ato kanë të bëjnë me borxhin publik. Buxheti që po diskutohet tani parashikon një rritje të shpenzimeve primare prej vetëm pak më shumë se 2 për qind dhe ky është një buxhet i vështirë, që do ta quaja ideal, nëse borxhi publik do të ishte 30 apo 40 për qind e GDP-së. Por fatkeqësisht, borxhi publik është gati 60 për qind dhe në këtë mjedis, edhe ai buxhet shumë i vogël, ka rreziqe të mëdha.

Për pensionet
Mbajtja e shpenzimeve te 2-përqindëshi është një objektiv ambicioz, nëse nuk parashikon ndryshime strukturore, si pakësimi i shërbimeve sociale apo të shërbimeve publike. Nëse nuk i bën këto, është pothuajse e pamundur të mbash shpenzimet te 2-përqindëshi.

Rritja e taksave
Një element tjetër që kemi rekomanduar, është rritja e taksës së sheshtë nga 10 në 15 për qind, që është ende tërheqëse.

Për guvernatorin
Banka e Shqipërisë duhet të jetë një institucion i pavarur nga politika dhe politikanët, që t’i lejojë ata të marrin vendime të vështira, ndoshta jo popullore, si rritja e interesave apo kërkesa që bankat të kenë më shumë kapital.
RUDINA DERVISHI

© Panorama.al

Te lidhura