Shqipëria mbeti e paprekur nga kriza globale dhe performanca ekonomike e saj edhe tani, gjatë krizës së eurozonës, ka qenë pozitive dhe këta tregues duket se për qeverinë shqiptare janë garanci e mjaftueshme për të mos u shqetësuar. Ministri i Financave, Ridvan Bode, komentoi një ditë pas raportit të FMN-së disa aspekte të ekonomisë, duke filluar që nga rritja ekonomike tek të ardhurat në buxhet apo edhe siguria e sistemit bankar, për të cilat ai theksoi se ecuria ka qenë pozitive. Alarmit që ka kohë që lëshohet nga institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare, si FMN apo BERZH, për krizën e fqinjëve, Bode i përgjigjet se janë marrë të gjitha masat dhe se Shqipëria nuk rrezikon të ketë probleme, aq më tepër që sistemi bankar është i mirëkapitalizuar. “Ne kemi marrë të gjitha masat që ekonomia shqiptare të preket sa më pak ose të mos preket nga zhvillimet në rajon, çka do të thotë se nuk do të ketë përfshirje të ekonomive të vendeve fqinje në ekonominë shqiptare. Por, për atë që po ndodh në ekonominë globale, sigurisht që edhe ekonomia shqiptare do të adaptojë ritmet e saj në përputhje me zhvillimet dhe ritmet e ekonomisë rajonale. Bankat që veprojnë në tregun tonë, mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë dhe janë në gjendje të mirë financiare”, tha Bode. Ai u shpreh se qeveria për momentin është duke hartuar buxhetin e vitit 2012 dhe se ai do të jetë një buxhet racional, por sigurisht me rritje krahasuar me buxhetin e vitit aktual. Lidhur me ecurinë e të ardhurave përgjatë këtij viti, i cili interpretohet si negativ krahasuar me një vit më parë, nga Bode performanca përkthehet ndryshe. Duke bërë krahasimin me rajonin, i cili ka pasur rënie të të ardhurave krahasuar me periudhën e parakrizës, Shqipëria vijon të jetë mirë në këtë aspekt, duke shënuar rritje të të ardhurave. Ndërkaq, rritje ka pasur edhe ekonomia, e cila sipas kreut të Financave në total për vitin 2011 pritet që të jetë në kufirin e 4 për qind. Edhe pse të dhënat për rritjen ekonomike të 3-mujorit të tretë ende nuk janë publikuar nga INSTAT, për kreun e Financave edhe në tremujorin që lamë pas, ka pasur rritje ekonomike pozitive.
buxheti
Ministri i Financave nuk përjashtoi dje mundësinë e një rishikimi të dytë të buxhetit pas bilancit të të ardhurave në 9-mujorin e këtij viti, i publikuar pak kohë më parë nga Financat. Për Boden, rishikimi i buxhetit nuk duhet të konsiderohet si tabu, pasi jo gjithmonë rishikimi ka të bëjë me shkurtime, por ka edhe rishikime pozitive për rritje fondesh për zëra të ndryshëm.
Kodheli: Shqipëria me borxh jo më shumë se 40%
Paralajmërimi i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar se ekonomia shqiptare po rrezikohet nga kriza e Italisë dhe Greqisë, lexohet ndryshe nga politika. Deputetja socialiste, Mimi Kodheli, shprehet se “duhet të përballet sa më shpejt që të jetë e mundur nga qeveria shqiptare, nga Banka e Shqipërisë dhe nga të gjitha institucionet që janë përgjegjëse për situatën financiare në Shqipëri, e cila nuk është ajo që paraqitet nëpërmjet qeverisë, nëpërmjet Bankës së Shqipërisë apo nëpërmjet institucioneve si INSTAT”. Për deputeten socialiste borxhi është bërë sot problemi më i madh i ekonomisë. “Ne në përgjithësi dëgjojmë përfaqësuesit e qeverisë, të cilët dalin dhe thonë se e kemi borxhin poshtë 60 përqindëshit. Një vend si Shqipëria duhet ta ketë borxhin në nivelin 40 për qind. Mesatarja e vendeve në zhvillim e ka 47 për qind”, tha Kodheli. Nënkryetarja socialiste në Komisionin e Ekonomisë argumenton se është pikërisht buxheti ai që po e kërcënon sistemin bankar. “Qeveria ka borxhe të mëdha ndaj biznesit për punët e papaguara. Qeveria ka borxhe të mëdha ndaj rimbursimit të TVSH-së, gjë që do të thotë që problemet e mëdha, borxhet e mëdha që qeveria sot ka me biznesin, i ka transferuar në një sistem tjetër, i cili është sistemi bankar”, tha Kodheli.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











