Bob Hand: Sistemit elektoral të garantojë besimin e palëve

Oct 6, 2011 | 10:59
Bob Hand

Këshilltari politik i Komisionit amerikan të Helsinkit, Bob Hand, tha për “Zërin e Amerikës” se me gjithë përparimet e bëra në Shqipëri në këta 20 vjet, ende ka probleme me besueshmërinë e zgjedhjeve. “Në vitin 2001 unë sugjerova që në zgjedhjet parlamentare të mund të merrnin pjesë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë. Vende të tjera, edhe ato që kanë kaluar rishtazi në demokraci, e kanë bërë këtë pa rrezikuar procesin. Por tani, 10 vjet më pas, Shqipëria nuk është ende gati dhe i duhet të përqendrohet në sistemin e numërimit të votave duke i monitoruar ato me video në mënyrë që ruajë integritetin e procesit. Me gjithë masat që janë synuar të ndërmerren, problemet ende vazhdojnë për shkak të mungesës së besimit. Dhe ky besim duhet të jetë pjesë e sistemit elektoral nga të gjitha palët. Pra, përparime ka pasur, por ato mund të ishin shumë më të mëdha dhe ky është zhgënjimi që unë kam tani me Shqipërinë, se mund të kishte bërë më shumë si përsa u përket zgjedhjeve, ashtu edhe zhvillimeve të tjera demokratike, si sundimi i ligjit dhe çështjet gjyqësore, për të cilat duhet bërë shumë e shumë më tepër. Pikërisht në këtë aspekt, shqiptarët duhet ta lënë të kaluarën pas. Unë e kam të vështirë t’u jap shqiptarëve leksione demokracie, pasi unë nuk kam përjetuar vuajtjet e tyre nën komunizëm”, u shpreh Hand. Duke folur për polarizimin mes dy forcave politike Hand tha se kjo vjen dhe për shkak se në ato kanë ruajtur një mentalitet nga epoka komuniste. “Shumë drejtues politikë, ose të tjerë brenda partive, edhe pse mund të ketë më të rinj në krye, por poshtë tyre ka figura që vijnë nga epoka komuniste, kanë ruajtur atë mentalitet. Edhe pse nuk janë komunistë, në një farë mënyre vazhdon mentaliteti kufizues dhe kjo krijon emocione për ta, mungesë besimi, ndjenjë hakmarrjeje dhe kjo ka ndikuar në tejzgjatjen e kësaj klime thellësisht të polarizuar. Kjo klimë ka penguar seriozisht zhvillimin e shoqërisë civile, ku ose duhet të jesh me njërën anë ose me tjetrën dhe nuk mund të jesh në mes, për të mirën e vetë vendit”, u shpreh Hand për “Zërin e Amerikës”.

© Panorama.al

Te lidhura