Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, denoncoi nga foltorja e Parlamentin burgosjen e padrejtë të presidentit të forcës politike, Ilir Meta dhe mbajtjen e tij në izolim të rreptë, duke i mohuar edhe të drejtat minimale, të evidentuara në raportin e fundit të Avokatit të Popullit.
Ndërsa e krahasoi regjimin e qeverisë “Rama” me standarde më të përkeqësuara se ato në Rusi dhe Vietnam, ligjvënësi nënvizoi se qëllimi pse Meta ndodhej pas hekurave ishin denoncimet që ai i kishte bërë koncesioneve dhe PPP-ve që po diskutoheshin sot në Kuvend.
“Një prej denoncuesve kryesorë të koncesioneve dhe PPP-ve, sot ndodhet pas hekurave, i burgosur padrejtësisht dhe bëhet fjalë për ish-presidentin Ilir Meta. Unë iu drejtova edhe Ministrit të Drejtësisë që të zbatonte rekomandimet e Avokatit të Popullit për trajtimin çnjerëzor të presidentit Ilir Meta, që provon këtë regjim kriminal. Të paktën respektoni standardet e Vladimir Putinit në Rusi, ku edhe pse me regjimin e tij e lejonte Navalnin të jepte intervista për mediat. Ne jemi hapa pas edhe me Vietnamin komunist, e kundërta ndodh në një vend të NATO-s, që është anëtar i Këshillit të Evropës dhe do të anëtarësohet në BE. Jemi në regjimin e Edi Ramës”, tha Blushi.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PL tha se Rama është i tmerruar nga të vërtetat e Metës, ndaj e mban në izolim të rreptë, duke ia mohuar komunikimet me familjarët, takimet, bisedat me mediat dhe ushtrimin e të drejtës së fjalës.
“Edi Rama është i tmerruar nga të vërtetat e Ilir Metës. Avokati i Popullit ka konstatuar katër shkelje të rënda të të drejtave të njeriut për zotin Meta. Ka ndaluar takimet për zotin Meta, duke shkelur konventat dhe Kushtetutën, ashtu sikur edhe ndalimi i telefonatave dhe prononcimet për mediat. Janë shkelje e rregullave edhe më minimale, shkelje e rregullave të OKB-së, ndërsa kujtojmë se edhe Mandela nën regjimin afrikan i burgosur i kishte disa të drejta, kurse në regjimin e Ramës këto janë të pamundura për zotin Meta. Ky është raport serioz i Avokatit të Popullit, ku ndalohet edhe e drejta e fjalës”, vijoi ai.
Sipas Blushit, “kjo ishte edhe arsyeja e rrëmbimit kriminal të zotit Meta dhe mbajtjen e tij në burg”.
Madje ai shtoi se edhe qëllimi për ligjet që po shtrohen për diskutim në Parlament, për koncesione dhe PPP, kanë pikërisht këtë qëllim, që hajdutët të mos ndëshkohen.
“Ky është qëllimi edhe i këtij ligji që doni të bëni, por nuk mund të lejojmë që hajdutët të jenë të lirë dhe denoncuesit e këtyre veprave, liderët e opozitës, të jenë pas hekurave, por të jeni të sigurt se zoti Meta do i fitojë të gjitha betejat, ashtu siç i ka fituar”, përfundoi Blushi.
© Panorama.al












