Ndalimi i deputetëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut në kufi, Bardhi: Veprime të papranueshme! Policia e Shtetit të japë sqarim publik

Jul 8, 2026 | 20:00

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka denoncuar ndalimin në pikën e kalimit kufitar të disa deputetëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.

Bardhi deputetet vlen RMV

Sipas Bardhit, bëhet fjalë për shefin e Grupit Parlamentar të VLEN-it, deputetin Bekim Qoku, deputetët Adnan Azizi dhe Hasim Murtezani, si dhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Përmes një reagimi publik, Bardhi e ka cilësuar të papranueshëm këtë veprim, duke kërkuar që Policia e Shtetit të japë menjëherë sqarime për ngjarjen.

“Dënoj me forcën më të madhe sjelljen e Policisë së Shtetit në pikën e kalimit kufitar ndaj disa kolegëve deputetë nga Maqedonia e Veriut”, u shpreh Bardhi.

Sipas tij, asnjë institucion i shtetit shqiptar nuk ka të drejtë të trajtojë në mënyrë denigruese përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Bardhi deklaroi se raste të tilla bien ndesh me detyrimet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për respektimin dhe mbrojtjen e shqiptarëve kudo që jetojnë, ndërsa cenojnë edhe frymën e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Shqipëria duhet të jetë gjithmonë një shtet që i mirëpret, i respekton dhe i mbron shqiptarët, jo një shtet ku ata ndihen të fyer apo të penguar”, deklaroi Bardhi.

deputetet vlen bardhi RMV

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMEMTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Dënoj me forcën më të madhe sjelljen e Policisë së Shtetit në pikën e kalimit kufitar ndaj disa kolegëve deputetë nga Maqedonia e Veriut, konkretisht ndaj shefit të Grupit Parlamentar të VLEN-it, deputetit Bekim Qoku, deputetëve Adnan Azizi dhe Hasim Murtezani, si dhe ndaj zëvendëssekretarit të përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Asnjë institucion i shtetit shqiptar nuk ka të drejtë të trajtojë në mënyrë denigruese përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Veprime të tilla janë të papranueshme, bien ndesh me detyrimet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për të mbrojtur dhe respektuar shqiptarët kudo që jetojnë, si dhe cenojnë frymën e bashkëpunimit dhe të respektit që duhet të karakterizojë marrëdhëniet mes dy vendeve tona.

Kërkoj që Policia e Shtetit të japë menjëherë një sqarim publik dhe transparent për këtë ngjarje. Çdo veprim i kryer në kundërshtim me ligjin duhet të hetohet me seriozitet dhe çdo person përgjegjës duhet të mbajë përgjegjësi, pa asnjë hezitim.

Shqipëria duhet të jetë gjithmonë një shtet që i mirëpret, i respekton dhe i mbron shqiptarët, jo një shtet ku ata ndihen të fyer apo të penguar. Kjo nuk është vetëm një çështje ligjore, por edhe një detyrim kombëtar e moral.

Akte të tilla dëmtojnë imazhin e shtetit shqiptar, cenojnë marrëdhëniet mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit dhe nuk duhet të përsëriten më kurrë në të ardhmen.

© Panorama.al

Te lidhura