“Balluku është në akuzë” -Rama sulmoi Partisë Mundësia, reagon Agron Shehaj: Mos bëj viktimën, korrupsioni yt është fakt!!

Jul 8, 2026 | 19:54

Kryetari i Partisë MUNDËSIA, Agron Shehaj, iu përgjigj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili akuzoi MUNDËSINË për shpifje, duke thënë se koha kur Shqipëria shihej si një mundësi për të përfituar nga Rama dhe oligarkët po merr fund.

agron shehaj balluku rama

“E dini pse e kemi vendosur emrin MUNDËSIA? Sepse çdo i ri që takonim na thoshte: ‘Në Shqipëri nuk ka asnjë mundësi’”, u shpreh ai.

Sipas Shehajt, sot gjithnjë e më shumë shqiptarë po i hedhin sytë nga MUNDËSIA, sepse kërkojnë një Shqipëri ku mund të jetojnë dhe punojnë ndershëm.

“Shyqyr që erdhi dita që shqiptarët i hedhin sytë nga MUNDËSIA. Ka mbaruar koha kur ti dhe miqtë e tu, oligarkët e tu, e shikonit Shqipërinë si një mundësi për të vjedhur. Tani ka ardhur koha që shqiptarët të besojnë se ekziston një mundësi edhe për ta; që Shqipëria mund të jetë një mundësi për çdo shqiptar që do të jetojë ndershëm në vendin e tij”, deklaroi Shehaj.

Kreu i MUNDËSISË hodhi poshtë akuzat e Ramës për shpifje, duke iu referuar çështjeve penale që lidhen me ish-kryebashkiakun Erion Veliaj, zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj.

“Ku janë shpifjet? Çfarë është shpifje? Që Erion Veliaj është në burg, i akuzuar për korrupsion, është shpifje? Që Belinda Balluku, krahu yt i djathtë, është e akuzuar për korrupsion, është shpifje? Që Ilir Beqaj, ministri yt i Shëndetësisë, akuzohet se ka vjedhur fondet që duhet të shkonin për ilaçe, është shpifje? Jo, nuk është shpifje, janë fakte!”, tha Shehaj.

Në fund, Shehaj iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit:

“Mbaroi koha jote dhe mos bëj viktimën. Të ka mbetur vetëm një mundësi edhe ty: të ikësh, sa më shpejt.”

© Panorama.al

Te lidhura