
Një qendër e vetme për kryerjen e të gjitha shërbimeve ligjore të biznesit në nivel lokal. Këtë parashikon projekti më i ri, i cili do të vihet në jetë në sajë të marrëveshjes që Bashkia e Tiranës nënshkroi dje me IFC (Korporata Ndërkombëtare Financiare), pjesë e Bankës Botërore. Qëllimi kryesor i këtij projekti është reduktimi i dokumentacionit, kostos dhe kohës që i nevojitet biznesit, duke krijuar një klimë të favorshme për investimet dhe duke rritur nivelin e konkurrueshmërisë së Tiranës. “One-Stop-Shop-Center”, do të sigurojë shërbime dhe këshilla për klientët, me cilësi dhe në kohë reale, për të garantuar një biznes më të suksesshëm, kundrejt një kostoje më të ulët. Me ngritjen e kësaj qendre, do të bëhet e mundur edhe kryerja e procedurave online,, çka do të jetë një tjetër lehtësi për biznesin. “Tirana do të bëhet territori më miqësor për biznesin në gjithë rajonin”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Basha, në deklaratën për mediat. “Besoj se ky projekt do të jetë i duhuri për Tiranën dhe besoj se Tirana do të jetë qyteti më konkurrues në Shqipëri, por edhe në Europë”, tha Per Kjellerhaug menaxheri i IFC-së për Ballkanin Perëndimor. Projekti financohet nga Bashkëpunimi Zviceran në Shqipëri. Ky projekt i zbatuar në tri bashki të Shqipërisë, në Durrës, Shkodër dhe Vlorë, sipas përfaqësuesit të IFC ka sjellë kursimin e 6 milionë dollarëve. Kaq llogaritet të jetë kursimi që do të sjellë ky projekt në Bashkinë e Tiranës. Plot 6 milionë dollarë është një shumë e barasvlershme me 2 mijë vende të reja pune.











