Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, në përfundim të takimit është parë shumë i mërzitur me rezultatin përfundimtar. Ai kishte deklaruar përpara ndeshjes se donte fitoren me çdo kusht ndaj Tiranës, por ëndrra për Kupën e Shqipërisë iu shua. “Më vjen shumë keq që nuk arritëm kualifikimin, duhet të kishim fituar. Patëm shumë raste dhe nuk i shfrytëzuam si duhet. Ekipi luajti mirë, sidomos në pjesën e parë. Mendoj se Tirana nuk kishte asgjë më shumë se ne, thjesht shfrytëzoi një pakujdesi tonën. Mendoj se duhet të ishim ne në finale, por ky është futbolli. Tashmë duhet të mendojmë për mbijetesën dhe do ta arrijmë atë me çdo kusht, pavarësisht pazareve që mund të bëhen në kurrizin tonë”, tha pas ndeshjes Besa-Tirana presidenti kavajas. Kujtojmë se për kualifikimin Bizhdili i pati premtuar 1 milion lekë çdo lojtari.











