
Birra “Korça” ka shkëlqyer edhe njëherë në dy panaire të zhvilluara këto ditë. Vizitorët kanë gjetur mikpritjen më të mirë te një birrë cilësore që e ka konfirmuar veten prej kohësh në treg si një ndër më të preferuarat e shqiptarëve dhe jo vetëm. Panairi i parë ku birra “Korça” do të jetë prezente deri ditën e nesërme është ai Ndërkombëtar i Turizmit të Qëndrueshëm i Fiera del Levante-s në Citypark, i cili hapi dyert më 14 tetor. Panairit për turizmin birra “Korça” ia ka shtuar më shumë ngjyrat, duke ofruar kështu një nga produktet më cilësore dhe më përfaqësuese të traditës shqiptare si birra e parë në vend. Vizitorët janë ndalur pranë stendës “Birra Korça” për t’i dhënë fundjavës së tyre më shumë kënaqësi me shijimin e një gote birrë. Por, suksesit të këtij panairi i është shtuar dhe pjesëmarrja në Panairin e Agrobiznesit, i mbajtur në qytetin e Korçës.
Panairi në Korçë

Pavarësisht motit të ftohtë, birra e qytetit është shijuar në maksimum nga qytetarët. Sikundër është bërë e zakonshme që birra “Korça” të jetë e preferuara e gjithsecilit, edhe në këtë panair ajo është kërkuar dhe është shijuar nga pjesëmarrësit. Në stendën e birrës së parë në vend, birrës “Korça”, janë ndalur organizatorët dhe të ftuarit, të cilët kanë shijuar këtë pije të sjellë me aq elegancë në njërën prej stendave kryesore të panairit. Në edicionin e katërt të këtij panairi, ku janë ekspozuar produktet më të mira të 250 fermerëve të rajonit, “Birra Korça” ka demonstruar edhe njëherë suksesin e saj. E konfirmuar si më e mira, kjo pije është shijuar edhe nga ambasadori danez, Jensen, i cili ka qenë i ftuar në këtë panair së bashku me ministrin e Bujqësisë, Genc Ruli dhe atë të Financave, Ridvan Bode. “Sigurisht, këto panaire, këto stenda, dëshmojnë më qartë çdo statistikë, ato që janë arritur nga viti në vit në sektorin e bujqësisë dhe agrobiznesit. Korça ka përbërë dhe përbën, pa dyshim, një nga potencialet më të mëdha bujqësore të Shqipërisë. Do të thoshim në aftësinë që tregoi ekonomia shqiptare për të ruajtur një rritje ekonomike në kushtet e një krize në tërë Europën, pa dyshim një kontribut ka dhënë edhe sektori bujqësor”, deklaroi ministri Ruli. Sipas ministrit, 30% e produkteve të eksporteve vijnë nga rajoni i Korçës, i cili është një ndër më produktivët përsa i përket kultivimit të frutave. Servirjes së produkteve të veçanta ia ka shtuar edhe më tepër hijeshinë birra “Korça”, pija e qytetit të serenatave, e cila ka një sukses të madh si brenda kufijve të Shqipërisë, ashtu dhe jashtë tyre.
Panairi i Agrobiznesit është organizuar për të katërtin vit radhazi në qytetin e Korçës. Stendat e tij janë pozicionuar në qendër të parkut “Rinia”, duke sjellë një mundësi më tepër të prezantimit të produkteve të zonës, të cilat prodhohen dhe tregtohen duke pasur një ndikim të madh ekonomik në vend.
Eksporti i birrës “Korça”
Birra “Korça” tashmë prej kohësh ka mundur që të bëhet pjesë e tavolinave të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve. Një ndër sipërmarrjet më ambicioze, por edhe më të suksesshme të kompanisë, është ajo e eksportit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku shifrat reflektojnë një interes të lartë të shqiptarëve që jetojnë aty për birrën e parë shqiptare. Drejt SHBA-ve tashmë janë nisur një sërë ngarkesash, të cilat çdo ditë e më shumë theksojnë suksesin e birrës cilësore “Korça”.
DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











