Biometriket, 100 raste falsifikimi në Tiranë

Oct 14, 2011 | 11:52

TIRANE – Një numër i madh rastesh me aplikime false për pasaporta biometrike është denoncuar në Prokurorinë e Tiranës, ditët e fundit. Mësohet se gjatë 2 javëve të fundit në prokurorinë e kryeqytetit kanë mbërritur rreth 100 kallëzime penale që bëjnë fjalë për aplikime të dyshimta për pasaporta biometrike. Sipas burimeve nga Prokuroria, rast pas rasti, dosjet janë duke u hetuar, por vihet re se ka një skemë të njëjtë që ndiqet në të gjitha rastet. Fillimisht, personat e interesuar për pasaporta biometrike marrin informacion për listën e shtetasve që ende nuk kanë aplikuar për një dokument të tillë, që përdoret për udhëtim në zonën “Shengen”. Më pas, nga kjo listë zgjidhet emri i një personi që ka datëlindje të përafërt me të interesuarin për pasaportë false. Në emrin e këtij shtetasi, që ende nuk ka aplikuar për kartë apo pasaportë (që nuk i ka gjurmët e gishtave në sistemin e kompanisë), nxirret një patentë e falsifikuar. Me këtë patentë i interesuari shkon në bashkinë, komunën, apo njësinë bashkiake ku është banor personi që nuk ka aplikuar për pasaportë dhe që nuk di asgjë për këtë histori. Duke paraqitur patentën si mjet identifikimi, e cila falsifikohet lehtë, të interesuarit tërheqin nga gjendja civile një certifikatë me emrin e personit të dëmtuar. Me këtë certifikatë ata paraqiten në zyrat e ALEAT dhe aplikojnë për pasaportë biometrike. Shumica e rasteve janë zbuluar kur shtetas të ndryshëm kanë shkuar të aplikojnë dhe u është thënë se ata kanë tërhequr pasaportë biometrike. Të çuditur, qytetarët kanë njoftuar menjëherë kompaninë dhe policinë. Ndërkohë, mësohet se fluksi i madh i denoncimeve që kanë mbërritur së fundi në Prokurorinë e Tiranës është zbuluar nga një audit i brendshëm në kompaninë “ALEAT”. Zbulimi është bërë mbi databazën e gjurmëve të gishtave, pasi në momentin e aplikimit, çdo person duhet të japë shenjat e gishtave të cilat regjistrohen në sistem. Pikërisht për këtë shkak, hetuesit thonë se qytetarët që kanë aplikuar për kartë identiteti, janë të mbrojtur nga “vjedhja e identitetit”, pasi gjurmët e tyre janë në sistem. Në rast se dikush përdor emrin e tyre për të aplikuar për pasaportë biometrike, është vetë sistemi që njofton anomalinë. Personat që po interesohen gjithnjë e më shumë për pasaporta biometrike janë shtetasit kosovarë, të cilët udhëtojnë pa viza në zonën “Shengen”, në rast se pajisjen me një dokument të tillë.                                    tr.so

© Panorama.al

Te lidhura