Bie tavani në gjimnazin “Petro Nini”

Mar 25, 2011 | 9:57

Për fat të mirë nuk është lënduar asnjë nxënës. Nëse do të kishte rënë qoftë edhe 5 minuta më vonë, pasojat mund të kishin qenë të rënda.Ishte ora rreth 13.10 kur një sipërfaqe prej 5 metra katror u shkëput nga tavani i korridorit të katit të dytë në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet. Në këtë pjesë të korridorit, ka pasur dy klasa me nxënës që po përgatiteshin të dilnin, pasi sapo kish rënë zilja e përfundimit të orës së fundit mësimore.”Ne sa po hapnim derën e klasës kur u shkëput copa e suvasë, direkt mbyllëm derën e klasës, vetëm njërës nga vajzat që po hapte derën i ra pak pluhur, por nuk u vra. Më shumë u trembëm të gjithë”, tha një nxënës, dëshmitar në incidentin që ndodhi. Të njëjtin panik pranuan edhe të tjerë. Pas kësaj ngjarjeje,  drejtoresha e shkollës, Mimoza Verzivolli, konfirmoi se nuk ishte lënduar asnjë nxënës dhe se firma që ka rikonstruktuar shkollën vitin e kaluar, po punon për rregullimin e tavanit. Për sigurinë e nxënësve, Verzivoli kërkoi një ekspertizë për punimet e kryera nga firma. “Shkolla është rikonstruktuar vitin e shkuar dhe nuk ka pasur incidente të tjera të këtij lloji, por, për t’u garantuar nxënësve siguri, ne kërkojmë që të bëhet vlerësimi i punimeve për të parë nëse ato janë brenda standardeve, apo jo. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës reagoi pak më vone duke theksuar se do të merren të gjitha masat për të verifikuar rrethanat e ngjarjes dhe firma do të mbajë përgjegjësinë që i takon. Rikonstruksioni i “Petro Nini Luarasit”, pjesë e territorit të Njësisë Bashkiake nr.5, u mundësua nga Bashkia e Tiranës. Inagurimi nga kryebashkiaku është bërë në 10 shtator të 2010. Pra, nuk kanë kaluar as 7 muaj. Bashkia, në njoftimin e saj për mediat, nuk ka bërë me dije sa është vlera e rikonstruksionit. Por pas inaugurimit, u theksua se pjesë e rikonstruksionit të shkollës kanë qenë dhe fasadat e godinës.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura