MEKSIKE- Humb jetën në një aksident ajror ministri i Brendshëm i Meksikës, Francisco Blake Mora, së bashku me 7 persona të tjerë që udhëtonin të bord. Ai është vlerësuar si një figurë me rëndësi në luftën kundër karteleve të drogës në vend. Për ngjarjen, Presidenti Felipe Kalderon tha se ka të ngjarë të jetë aksident. Autoritetet thonë se 45-vjeçari Blake Mora po udhëtonte mes qytetit të Meksikos dhe shtetit Morelos, kur ndodhi aksidenti dje.
Presidenti Kalderon tha se helikopteri u përplas në kushtet e një moti me mjegull dhe se ky ishte ndoshta aksident. Megjithatë, ai tha se të gjitha shkaqet e mundshme janë duke u hetuar.
Udhëheqësi meksikan u përpoq me vështirësi të kontrollonte emocionet gjatë një fjalimi që mbajti mbrëmë në televizion, në të cilin e përshkroi zotin Blake Mora si patriot të madh. Zoti Kalderon anuloi udhëtimin e planifikuar për në Havai, kur ai do të merrte pjesë në takimin e nivelit të lartë të udhëheqësve të Azi-Paqësorit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama i telefonoi dje zotit Kalderon dhe i tha se ishte i shokuar dhe i dëshpëruar nga lajmi. (voa)
© Panorama.al











