Betohet “Papademos”, ja emrat e ministrave të rinj

Nov 12, 2011 | 10:43

Kryeministri grek, Lukas Papademos, ka caktuar të premten një kabinet të ri, i cili do të ketë detyrën të zbatojë masat e  kursimit për të marrë paketën e re të shpëtimit prej 130 miliardë eurosh, përpara se vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Papademos dhe kabineti i tij u betuan dje pasdite, në një ceremoni në orën 16:00. Edhe pse ceremonia e parë ishte paralajmëruar rreth orës 14:00, ajo u shty për dy orë pa dhënë asnjë arsye zyrtare, por mediat nisën menjëherë komentet se liderët politikë kishin ende mosmarrëveshje për emrat e kabinetit të ri. Ceremonia e betimit u krye në pallatin e Presidencës, duke i dhënë fund kështu krizës 11-ditëshe politike, nga e cila Kryeministri Jorgo Papandreu dha dorëheqjen. Qeveria e re ka emra nga të dyja partitë e mëdha në vend, PASOK dhe Demokracia e Re, por edhe emra nga partia e vogël nacionaliste, LAOS. Kjo është hera e parë në 37 vjet që të dy partitë e mëdha bashkëpunojnë për një koalicion qeveritar, që kur vendi i dha fund regjimit ushtarak në vitin 1974. PASOK është përpjekur të mbajë postet e saj në qeveri. Përveç tri ministrive, të trembëdhjetë të tjerat kanë mbetur sërish në duart e socialistëve, përfshirë edhe Ministrinë e Financave. Por Demokracia e Re ka marrë dy ministri kyçe, atë të Jashtmen dhe atë të Mbrojtjes, ndërsa partia LAOS ka marrë një post ministror, duke hyrë për herë të parë në histori në qeveri. Qeveria përballet me sfida të ashpra. Greqia mbetet në recesion të thellë, papunësia ka shënuar rekord dhe qeveria ka para edhe për pak javë. Detyra e parë e kësaj qeverie është të marrë këstin 8 miliardë euro të mbetur nga paketa e parë e shpëtimit, nga FMN dhe BE. Pas kësaj, qeverisë i duhet të miratojë dhe zbatojë paketën e fundit të ndihmës nga Europa dhe të nisë bisedimet me kreditorët e sektorit privat mbi një plan të debatueshëm për të eliminuar rreth gjysmën e 200 miliardë eurove borxh që qeveria greke u detyrohet atyre. Ndërsa pjesa më madhe e posteve mbeti në duart e PASOK, Demokracia e Re u përfaqësua me dy figura të mëdha politike: ish-komisionarin europian, Stavros Dimas dhe ish-ministrin e Shëndetit, Dimitris Avramopoulos. Të dy ata janë zv/kryetarë të partisë konservatore, ndërkohë që nga radhët e saj janë futur shumë zëvendësministra dhe asistentë. Mes tyre është Joanis Mourmouras, asistent i ministrit të Financave, i cili është edhe këshilltar i ngushtë i liderit Demokracia e Re, Antonis Samaras. Analistët në Greqi besojnë se me këtë përbërje qeveria e re gëzon mbështetjen e 85 për qind të elektoratit.

Qeveria e Re Greke
Kryeministër      Lukas Papademos
Zëvendëskryeministër      Theodoros Pangalos
Zëvendëskryeministër      Evangelos Venizelos
Ministri i Financave      Evangelos Venizelos
Ministri i Jashtëm     Stavros Dimas
Ministri i Mbrojtjes      Dimitris Avramopoulos
Ministri i Brendshëm     Anastasis Janicis
Ministri i Ambientit e Energjisë     Jorgo Papakonstantinu
Ministre e Edukimit      Ana Diamanotopulu
Ministri i Reformës Administrative     Dimitris Repas
Ministri i Konkurrencës      Mikalis Krisokoidis
Ministri i Shëndetit      Andreas Loverdos
Ministri i Transportit     Janis Ragousis
Ministri i Agrikulturës     Kostas Skandalidis
Ministri i Transportit     Voridis Mavrudis
Ministri i Punës     Jorgos Kutrumanis
Ministri i Zhvillimit Rural e Ushqimit      Kostas Skandalidis
Ministri i Drejtësisë     Miltiadhis Papajoanu
Ministri i Mbrojtjes Qytetare     Kristos Papucis
Ministri i Kulturës e Turizmit     Pavlos Geroulanos
Ministri i Shtetit e zëdhënës     Jorgos Stavropoulos

Merkel
Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, e ka uruar dje Kryeministrin e ri të Greqisë, Lukas Papademos, për detyrën e re dhe ka siguruar se Gjermania do të jetë një mbështetëse e Athinës. “Shpresojmë që qeveria e re të ketë mbështetje të gjerë në popull”, u shpreh Merkel në një letër dërguar Kryeministrisë greke, pak pasi partitë politike ranë dakord për emërimin e Papademos si lideri i ri i vendit. Merkel bëri thirrje për reformat dhe për zbatimin sa më të shpejtë të paktit të eurozonës.

© Panorama.al

Te lidhura