Beteja për Libinë vazhdon, duke afruar akoma më shumë pushtetit të plotë qeverinë e tranzicionit. Luftëtarët e saj kanë arritur të marrin edhe ndërtesat kryesore në fortesën e fundit të Gedafit, në Sirte, por kanë frenuar sulmin e tyre në sheshin kryesor, për t’u lënë kohë civilëve të qytetit të largohen që të mos jenë pjesë e luftimeve me besnikët e Gedafit. Beteja ka shkaktuar edhe shumë të plagosur, nga të dyja palët, por edhe civilë. Për ta, qeveria gjermane planifikon të dërgojë avionë për t’i marrë e trajtuar në Gjermani të plagosurit rëndë. “Synimi është që të plagosurit të marrin shpejt ndihmën mjekësore urgjente që u duhet”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Berlin. Këshilli i Tranzicionit ka raportuar se gjatë luftimeve të muajve të kaluar për rrëzimin e regjimit të Gedafit, janë plagosur rreth 50000 vetë, përveç mijëra të vrarëve.











