Betejë në Romë, zjarr e dhunë në protestat ekonomike

Oct 16, 2011 | 12:13
Nga dhuna në protestat e djeshme në Romë

Sheshi qendror i Romës u kthye dje në një shesh beteje mes një grupi protestuesish dhe policisë e qytetarëve, një betejë urbane që për katër orë i dha kryeqytetit italian pamjen e një vendi në luftë civile. Policia italiane ka përdorur gazin lotsjellës dhe topat e ujit për të shpërndarë protestuesit, të cilët kanë thyer xhama dyqanesh e restorantesh, kanë djegur makina e blinde dhe kanë thyer shishe në rrugë. Rreth 750 autobusë me protestues u dyndën dje në Romë, mes të cilëve kishte edhe shumë studentë. Protesta, e paralajmëruar një ditë më parë, ishte shenjë zemërimi i popullit italian kundër keqmenaxhimit të krizës ekonomike nga qeveria italiane. Protestuesit mbanin parulla që lexonin: “Paratë tuaja janë paratë tona” etj. Rreth dy mijë policë ishin në detyrë për të mbajtur nën kontroll protestuesit e Romës, të cilët e quajnë veten “të indinjuarit”. Në një imitim të pushtimit të parkut “Zuçotti” afër Wall Street në Manhatan, disa protestues kanë vendosur çadra në rrugën e zyrave qendrore të bankës së Italisë, prej disa ditësh. Në sheshin “Shën Xhovani”, një vend historik i manifestimeve të sindikatave, grupi i të indinjuarve që duhej të mbante një manifestim paqësor, për katër orë e transformoi vendin në një shesh beteje urbane me forcat e rendit, kur rreth 500 të rinj nisën të godisnin me gurë dhe copa trotuaresh. Një mjeti të blinduar të karabinierëve iu vu flaka, por dy ushtarakët që ishin brenda shpëtuan. Deri tani janë regjistruar rreth 20 të plagosur dhe janë bërë dhjetëra arrestime. Pas orëve ku shkëmbeheshin gurët e protestuesve me gazin lotsjellës të policisë, sheshi “Shën Xhovani” u boshatis nga personat e dhunshëm, por më pas ata u zhvendosën në rrugët të tjera të Romës, duke barrikaduar dyqane me motorë të vendosur mbi njëri-tjetrin e duke iu vënë flakën makinave e kazanëve të plehrave. Pasi kanë arritur të heqin barrikadat, forcat e rendit kanë ndjekur protestuesit e dhunshëm të cilët janë shpërndarë në sheshe dhe rrugë të tjera. Kundër grupit të 500 vetave të “bllokut të zi”, siç identifikohen tashmë të dhunshmit e protestave, kanë ndërhyrë edhe qytetarët, të cilët i kanë goditur ata me objekte shtëpiake nga dritaret e tyre, në përpjekje për t’i ndaluar, por edhe vetë manifestuesit. Protesta masive nisi paqësore deri kur nga turma u shkëput grupi i të maskuarve, të cilët nisën të godisnin me objekte të forta policinë. Ata thyen viktima bankash e dyqanesh dhe iu vunë flakën disa makinave. Një re tymi e zezë shihej në qiellin e Romës, afër Koloseut. Disa prej protestuesve kishin shkopinj, të tjerë çekiçë. Ata hodhën pajisje ndezëse dhe fishekzjarrë nëpër banka, Ministrinë e Mbrojtjes, duke shkatërruar bankomatet dhe duke u vënë zjarrin edhe kazanëve të plehrave. Dy grupe gazetarësh nga “Sky Italia” u sulmuan. Dhuna u qetësua pak para orës 20:00, ndërsa policia mbeti në gatishmëri për të parandaluar sulme të tjera.

“E paligjshme”
Gjykata në Athinë e shpalli dje të jashtëligjshme grevën e sindikatave në Ministrinë e Financave dhe dogana. Sipas vendimit të gjykatës, greva nuk u përmbahet neneve të Kodit të Punës dhe për më tepër, edhe kërkesat ekonomike të sindikalistëve u cilësuan të paligjshme. Kjo do të thotë se grevistët e këtyre sektorëve duhet t’i rikthehen menjëherë punës. Sindikalistët e pranuan vendimin e gjykatës deri në gjetjen e një formule ligjore, që do t’i lejojë ata të lënë sërish punën e të protestojnë. Greva ishte planifikuar të mbahej deri më 24 tetor.

Takimi i G20
Ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave të vendeve më të industrializuara, G20, u mblodhën në Paris për të gjetur zgjidhje të shpejtë për krizën e borxheve. Presioni ndaj qeverive europiane po rritet, ndërsa ato duhet të mbështesin bankat e tyre. Japonia dhe SHBA bëjnë presion që të mbështeten bankat, në mënyrë që të stabilizohet gjendja e tregjeve financiare. Ministri francez i Financave, François Baroin, paralajmëroi pak para takimit dyditësh se do të ketë një propozim gjermano-francez për pjesëmarrje më të madhe të bankave në shpëtimin e Greqisë.

Protesta globale, marshime në 931 qytete

Nga protesta në Gjermani

Protestues në të gjithë botën kanë shprehur dje zemërimin e tyre kundër bankierëve dhe politikanëve, të cilët i akuzojnë se shkatërruan ekonomitë dhe dënuan miliona njerëz me mjerim nëpërmjet qeverisjes së tyre të keqe. Që nga Lëvizja e Pushtimit të Wall Street, protestat janë përhapur dje në Zelandën e re, në shumë vende të Europës dhe Azi e Afrikë. Organizuesit e protestave shpresojnë të shohin protesta jo të dhunshme në 951 qytete në botë. Zelanda e re dhe Australia patën protesta paqësore të shtunën, me nga rreth 3000 veta. Në Zelandën e re protestuesit u binin daulleve, duke denoncuar babëzinë e institucioneve. Qindra kanë marshuar edhe në Tokio, Japoni. Në Manila, Filipine, rreth 100 njerëz kanë marshuar para Ambasadës Amerikane me parulla, “Poshtë imperializmi amerikan!”. Më shumë se 100 veta ishin mbledhur në Tajvan në pikën valutore të Taipeit, ku kërkonin rritje ekonomike. Protestat kanë prekur edhe Londrën, me protestues të zemëruar që mbanin parulla si, “Tani mjaft!”. Protestuesit grekë mbajtën tubime në sheshin “Sintagma” kundër masave të reja të ashpra të kursimit. Në Paris, protesta koincidoi me takimin e krerëve të financës së G20. Në Madrid ishin planifikuar shtatë marshime për t’u bashkuar në sheshin “Cibeles”. Në Gjermani, marshimet u mbajtën në qendrën financiare të Frankfurtit dhe Bankën Qendrore Europiane. Në Korenë e Jugut aktivistët u mblodhën në Seul për të protestuar dy ditë. Edhe në Kanada u organizuan protesta në Montreal, Vankuver e Toronto.

© Panorama.al

Te lidhura