Kishte nga ata që besonin se shkrimtari “Lars Kepler” ishte i famshëm në Suedi shumë kohë përpara debutimit të romanit kriminalistik të titulluar Hypnotisören, në shqip “Hipnotizuesi”. Ky pseudonim misterioz u bë lajmi më i madh i ditës. Po kush ishte në të vërtet Kepleri misterioz? Pas botimit të “Hipnotizuesit”, i cili u vlerësua mjaft mirë dhe u bë një bestseller në Suedi, media lokale filloi kërkimin për të zbuluar se kush ishte ky autor enigmatik. Doli se “ky autor” ishin në të vërtetë një çift bashkëshortësh, që të dy shkrimtarë mjaft të njohur, Aleksandra dhe Aleksandër Ahndroil. Tashmë të famshëm dhe pjesëmarrës në shumë takime me lexuesit në Londër e kudo, dy Aleksët u bënë një çift i dashur, të cilët nuk e mohojnë aspak faktin se themeli i suksesit dhe karrierës së tyre është pikërisht ky roman triller. Nofka “Stieg Larsson-i i ardhshëm” po përdoret sërish, për të cilësuar këtë herë Lars Keplerin. Por a do të mundet Larsi të jetë po kaq i suksesshëm? Ngjarjet e “Hipnotizuesit”, botuar tashmë në 37 gjuhë dhe po ekranizohet për film artistik, zhvillohen në Suedi, por personazhet, dilemat dhe rastet e vrasjeve misterioze janë universale. Romani hapet me vrasjen brutale, ose më mirë me masakrën, e një familjeje në Stokholm: prindërit dhe vajza e vogël e familjes janë gjetur të vdekur. I vetmi i mbijetuar është djali i shtëpisë, pesëmbëdhjetëvjeçari Jozef Eku. Ai është shtruar në gjendje të rëndë shoku dhe nuk komunikon me botën përreth, por duke qenë dëshmitari i vetëm i ngjarjes duhet pyetur tani, sepse vrasësi kërkon ta përmbushë veprën duke vrarë edhe motrën e madhe të Jozefit. Ka vetëm një mënyrë për të marrë ndonjë të dhënë: të hipnotizohet Jozefi dhe këtë mund ta bëjë vetëm mjeshtri i hipnozës, dr. Erik Maria Bark, i cili para 10 vjetësh ka premtuar të mos e praktikojë më hipnozën. Eriku nuk e di se e vërteta që do të vijë prej djalit nën hipnozë do ta ndryshojë përgjithmonë jetën e tij.
“Hipnotizuesi”
Autor: Lars Kepler
Përkthyen: Ilira Shurbani, Aurora Kënga
Shtëpia Botuese: “Dituria”
Numri i faqeve: 548
Çmimi: 1250 lekë











